PDK: Haziri po e spastron komunën e Gjilanit nga PDK-ja

Duke mos guxuar që të bëjë hapin e tij, për riformatizimin e qeverisjes komunale të cilën e ka deklaruar disa herë vetë, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, si nevojë pas dështimit total në shumicën e drejtorive komunale, ai luftën politike dhe spastrimin e ka drejtuar dhe po vazhdon ta bëjë kundër kuadrove profesionale që i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë treguar dhe dhënë rezultate të pamohueshme në secilin sektorë të cilën e kanë drejtuar

Lajme

25/04/2015 08:23

Kështu thuhet në një komunikatë të degës së PDK-së në Gjilan, sipas të cilëve ky spastrim politik po bëhet përmes presioneve dhe një terrori, që i ngjan vetëm kohërave të viteve 1989/90, kur udhëheqësve shqiptar u imponohej që të lëshojnë pozitat udhëheqëse dhe të largoheshin nga vendet e tyre të punës, nga kërcënimet dhe masat e dhunshme që instaloheshin kudo nëpër institucionet dhe ndërmarrjet e ndryshme ekonomike.

“Ky kryetar komune po e degradon çdo institucion komunal dhe kompani publike, sepse din vetëm të bëjë largime dhe spastrime politike, por assessi nuk ka dije që të bëjë zgjidhje më të mirë dhe në interes të qytetarëve të Gjilanit. Edhe pse kanë kaluar 17 muaj të qeverisjes së tij me komunën, ai ende asnjëherë nuk e ka kompletuar qeverisjen me drejtor komunal, e që normalisht do të duhej ta bënte menjëherë me rastin e marrjes së përgjegjësisë si kryetar komune. Po ashtu ai ende nuk ka arritur as të shpall konkurs që nga muaji maj i vitit të kaluar, për të zëvendësuar anëtarët e bordit të kompanisë publike Kosovatrans në Gjilan. Kjo do të thotë se Lutfi Haziri është i paaftë dhe i paditur për të bërë zgjidhje të problemeve, por është i prirur të luaj fshehtas nëpër errësirë, sepse ditën as këtë nuk është në gjendje ta bëjë. ”, thuhet në komunikatë.