PDK fiton shumicën e votave me kusht, Lista Serbe të atyre me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar rezultatet e votave me kusht dhe votave me postë.

Lajme

20/06/2014 17:08

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, ka thënë se është përmbyllur procesi i numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë.

Nga numërimi i këtyre votave, PDK-ja ka marrë më së shumti, përkatësisht 6 mijë e 611 vota; LDK-ja, 3 mijë e 751 vota; Vetëvendosje, 3 mijë e 94 vota; AAK-ja 1 mijë e 869 vota; Lista Serbe, 1 mijë e 293 vota; AKR-ja, 1 mijë e 117 vota; ndërsa Nisma për Kosovën ka marrë 998 vota.

Ndërsa nga votat me postë, Lista Serbe ka marr më së shumti vota, 7 mijë e 766 vota; Vetëvendosje, 884 vota; PDK-ja, 372 vota; LDK-ja, 272 vota; AAK-ja, 107 vota; AKR-ja, 59 vota; dhe Nisma për Kosovën, 17 vota.

Ahmetaj ka thënë se pas përfundimit të numërimit të këtyre votave ka filluar rinumërimi i atyre kutive të votimit për të cilat ka marrë vendim KQZ, dhe brenda disa ditësh, sipas tij, do të përmbyllet gjithë procesi.

Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se KQZ nuk është duke u vonuar me shpalljen e Rezultateve Përfundimtare, pasi nuk mund të tejkalohen procedurat e parapara me ligj.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore është duke e kryer punën e tij, ashtu sikurse edhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, dhe në kuadër të kompetencave puna po shkon ashtu sikurse e parasheh ligji”.