PDK ende nuk u ka dërguar ftesë partive politike për takimin e radhës

Partia Demokratike e Kosovës do të jetë nikoqire e subjekteve tjera politike në takimin e dytë që pritet të mbahet së shpejti, mirëpo shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se ende nuk e kanë caktuar datën e takimit, sepse janë duke i diskutuar detajet.

Lajme

02/05/2018 15:57

Nisma e LDK-së që t’i mbledhë përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar për temat e mëdha që po e preokupojnë vendin pritet të vazhdojë.

Nga takimi i fundit që u quajt tryezë, partitë politike ishin marrë vesh që organizmin e këtyre tryezave ta bëjnë me rotacion të gjitha subjektet politike dhe grupet parlamentare.

Marrëveshja kishte qenë që takimi i radhës të bëhet nën patronatin e PDK-së.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se ende nuk i kanë finalizuar detajet dhe se s’mund të japë më shumë informacion.

“Ende nuk i kemi finalizu detajet, andaj s’mund të përgjigjem sot”, tha shkurtimisht Krasniqi për KALLXO.com.

Sot janë bërë 1 javë prej takimit të fundit që u mbajt në Kuvendin e Kosovës e që u drejtua nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Megjithatë, sipas deputetit të Alternativës, Ilir Deda i cili ishte përfaqësues nga partia e tij takimin e javës së kaluar gjatë atij takimi të pranishmit ishin marrë vesh që çdo javë të mbahen këto takime.

“Marrëveshja ka qenë që çdo javë me pasë kësi tryeze edhe pse propozimi i jonë ka qenë që këto mbledhje me qenë ma intensive”, tha Deda për KALLXO.com.

Ai shtoi se PDK-ja është zotuar që ta organizojë takimin këtë javë dhe se ende nuk kanë marrë ftesë nga PDK-ja për mbledhjen e radhës.

Takimin e parë e kishte ftuar kryetari i LDK-së, mirëpo në tryezë kishin marrë pjesë nivel më i ulët se kryetarët e partive.

Në ftesën e LDK-së ishte shkruar se do të diskutohet edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, mirëpo pas mbledhjes palët kishin deklaruar se nuk kanë diskutuar për zgjedhjet e reja.