PDK ende nuk e ka regjistruar grupin parlamentar

Koalicioni parazgjedhor PDK-PD-LB-PSHDK-PK, ende nuk është regjistruar zyrtarisht si grup parlamentar. Adem Grabovci thotë se kjo ka ndodhur si çështje e disa problemeve proceduriale. 

Lajme

06/08/2014 16:14

Në web-faqen e Kuvendit të Kosovës deri më tani janë regjistruar të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe shumë të diskutueshmin, LDK-AAK-Nisma, ndërsa, koalicioni parazgjedhor që kishte fituar më së shumti vota, PDK-PD-LB-PSHDK-PK, ende nuk figuron.

Ismet Krasniqi, Sekretar I Kuvendit të Kosovës, ka thënë për lajmi.net se nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik. Ai ka bërë të ditur se është ky koalicion i udhëhequr nga PDK, i cili nuk i ka dërguar emrat e deputetëve që do të jenë pjesë e këtij grupi parlamentar.

“Kjo ka ndodhur sepse ata (PDK) nuk kanë paraqitur me shkrim në Sekretariatin e Kuvendit se janë grup parlamentar”, ka thënë shkurt për lajmi.net Krasniqi.

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë për lajmi.net se mos dorëzimi i listës për Grupin Parlamentar i koalicionit të udhëhequr nga PDK-ja është çështje e disa problemeve procedurale dhe mungesës së disa deputetëve të cilët janë në pushime.

“Kjo ka mbetur vetëm si çështje procedurale pasi që 12 deputetë të këtij koalicioni nuk kanë qenë prezent kur është dashur të dorëzohet lista dhe si rrjedhojë e kemi shtyrë për një afat tjetër”, ka thënë Grabovci për lajmi.net.

Koalicioni PDK-PD-LB-PSHDK-PK ka dalë si koalicioni me më së shumti vota nga zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit.

Më 17 korrik është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit e cila është përshkruar me shumë probleme. Nga kjo seancë u zgjodh Kryetar Parlamenti Isa Mustafa, por për këtë gjë, tashmë PDK ka dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit ka marrë vendim që ta pezullojë nga detyra Isa Mustafën, derisa gjykata të merr një vendim.

LDK-AAK-Nisma po pretendon se është grupi më i madh parlamentar,  dhe të njëjtën gjë pretendon edhe PDK-ja.