PDK e LDK takohen me deputetët e tyre, për zgjedhjen e Presidentit

“Ne si koalicion, normalisht që tashmë e kemi kandidatin për president të vendit, zotin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderin më të votuar në vend në vazhdimësi", tha Memli Krasniqi nga PDK-ja.

Lajme

03/02/2016 20:14

Procesi i zgjedhjes së presidentit të ri në Kosovë, i cili sipas afateve kushtetuese duhet të ndodhë para datës 7 mars, pritet të përplasë sërish partitë e koalicionit me opozitën, e cila po kërkon zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje të presidentit nga qytetarët.

Top Channel ka mësuar se udhëheqësit e koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa po takohen çdo ditë me deputetët e tyre, të cilët para seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të vendosin firmat e tyre për të konfirmuar kandidaturën e Thaçit për këtë post.

“Ne si koalicion, normalisht që tashmë e kemi kandidatin për president të vendit, zotin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderin më të votuar në vend në vazhdimësi. Besojmë që gjithçka do të ndodhë gjatë ditëve apo javëve të ardhshme, por gjithsesi brenda afateve kushtetuese sepse jemi të detyruar të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet përkatëse”, ka deklaruar nënkryetari i PDK, Memli Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Por ndërsa koalicioni PDK-LDK po merret me detajet e fundit para seancës për votimin e Thaçit për president, opozita po bën thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

“Akomodimi i individëve nuk jep garanci që vendi të dalë nga kjo krizë e thellë. Sot Kosova ka nevojë për një përgjigje tjetër, një zgjidhje politike, që partitë politike të ulen sa më shpejt dhe përmes një axhende politike të bashkëbisedimit të përcaktojnë afatet e zgjedhjeve, rrugën drejt zgjedhjeve. Kjo është rruga që duhet të ndiqet dhe ky është interesi i Kosovës”, ka deklaruar kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje e krizës politike, ndërsa për presidentin, kjo parti vlerëson se nevojiten ndryshime kushtetuese dhe në mënyrë që zgjedhja të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët./lajmi.net