PDK e dorëzon në Kushtetuese zgjedhjen e kryeparlamentarit (Video)

Partia Demokratike e Kosovës sot pasdite ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën përmes së cilës konteston zgjedhjen e kryeparlamentarit Isa Mustafa. 

Lajme

18/07/2014 17:24

Deputetët Xhavit Haliti dhe Memli Krasniqi kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën me të cilën kërkojnë interpretim nga institucioni më i lartë juridik në vend, ligjshmërinë e zhvillimeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës. Deputeti Haliti me këtë rast ka thënë se ata këtë vendim e kanë marrë pasi vlerësojnë se gjatë seancës së djeshme, ka pasur shkelje të procedurave. 

“PDK mendon se procedurat janë shkelur. Ka pasur shkelje të njëpasnjëshme. Kemi kërkuar që të pezullohet kjo procedurë, nga Gjykata Kushtetuese, nuk kemi kërkuar sqarim”, ka thënë Haliti.

Ai nuk ka dashur të komentojë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Haliti ka thënë se për këtë janë institucionet tjera që vendosin. (lajmi.net)