PDK do të dilte e para, sikur zgjedhjet të mbaheshin pas një jave

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin pas një jave, nuk do të kishte shumë ndryshime krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit të mbajtura një vit më parë.

Lajme

22/07/2015 13:21

Kështu tregon një sondazh i krijuar nga Lëvizja FOL i publikuar sot lidhur me vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se ky sondazh, është i bazuar në metodën sasiore dhe është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës. Koha e realizimit të sondazhit, sipas tij, është nga data 10 deri me 28 Maj 2015 dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me marzhë të gabimit +-3.1%. Në kuadër të këtij sondazhi janë anketuar 1000 qytetarë të Kosovës.

Lëvizja FOL gjatë realizimit të hulumtimit të opinionit publik i ka pyetur qytetarët rreth mbarëvajtjes se dy palë zgjedhjeve të fundit në Kosovë dhe rreth preferencave që ata kanë për partitë politike.

Fidan Kalaja tha se ata fillimisht janë pyetur nëse para zgjedhjeve të fundit të përgjithshme ndonjëra nga partitë e caktuara politike u ka kërkuar votën në shkëmbim të ndonjë shërbimi, paraje ose dhurate. Në këtë pyetje, sipas të gjeturave të sondazhit, rezulton se 17% e të anketuarve kanë deklaruar t’u kenë dhënë votën në shkëmbim të ndonjë të mire materiale, ndërsa 83% e të anketuarve e kanë mohuar t’u ketë ndodhur një gjë e tillë.

Në këtë pikë, qytetarët e anketuar janë pyetur po ashtu nëse para zgjedhjeve të fundit të përgjithshme ndonjëra nga partitë e caktuara politike u ka kërkuar votën ndonjë anëtarit të familjes në shkëmbim të ndonjë shërbimi, paraje ose dhurate.

Siç tregojnë të dhënat e këtij sondazhi, rreth 11.2% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruara që t’u ketë ndodhur një gjë e tillë, 85.7% e tyre kanë deklaruar se kjo nuk u ka ndodhur asnjëherë, dhe vetëm 3.1% e tyre kanë deklaruar se nuk e dinë t’u ketë ndodhur apo jo.

foto (1)

Kalaja ka bërë të ditur se qytetarët janë pyetur se nëse pas një jave do të zhvilloheshin Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, cilën nga partitë e listuara më poshtë do ti votonit?

“Rreth 18.7% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Partinë Demokratike e Kosovës – PDK, rreth 17.70% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Lidhjen Demokratike e Kosovës – LDK, rreth 16.60% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Lëvizjen VETVENDOSJE- LVV, rreth 4.20% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, rreth 2.50% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Listën Serbe – LS, rreth 1.50% të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Nismën për Kosovë – NISMA, rreth 1.20% e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin Aleancën Kosova e Re – AKR, rreth 24.00% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk janë të sigurt se cilën parti do ta votonin, rreth 11.10% e të anketuarve kanë refuzuar të përgjigjen në këtë pyetje, ndërsa rreth 2.70% e të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin për parti të tjera”, ka thënë Kalaja.

Ai potencoi se nga këto të gjetura del se niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje në periudhën e anketimit do të ishte rreth 65% ose pjesëmarrja më e lartë në zgjedhje që nga pas pavarësia e Kosovës.

“Pra, nga ky 65% i qytetarëve që potencialisht do të merrnin pjesë në zgjedhje, rreth 28.77% kanë deklaruar se do ta votonin Partinë Demokratike e Kosovës – PDK, rreth 27.23% kanë deklaruara se do ta votonin Lidhjen Demokratike e Kosovës – LDK, rreth 25.54% kanë deklaruara se do ta votonin Lëvizjen VETVENDOSJE- LVV, rreth 6.46% kanë deklaruara se do ta votonin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, rreth 3.85% kanë deklaruara se do ta votonin Listën Serbe – LS, rreth 2.31% kanë deklaruara se do ta votonin Nismën për Kosovë – NISMA, rreth 1.85% kanë deklaruara se do ta votonin Aleancën Kosova e Re – AKR ndërsa rreth 4.15% % kanë deklaruara se do të votonin për parti të tjera”, bëri të ditur Kalaja.