PDK do të bojkotojë seancën e thirrur nga VLAN?

Deputetët e bllokut paszgjedhor s’kanë pritur Flora Brovinën për të thirrur seancën. Ata tashmë e kanë bërë këtë. Me 62 nënshkrime, 22 më shumë seç që nevojitën, LDK, VV, AAK dhe Nisma kanë thirrur seancën për 9 tetor në orën 10. Por PDK me deputetët e saj dhe të koalicionit parazgjedhor, nuk do të shkojnë në këtë seancë. 

Lajme

03/10/2014 22:24

Në PDK thonë se në seancë do të shkojnë vetëm nëse atë e thërret kryesuesja e Kuvendit Flora Brovina. 

Kërkesën e Bllokut deri më tani nuk e kanë nënshkruar deputetët e pakicave, të cilët kanë thënë se u nevojitet kohë për konsultime për këtë.

Shkresën e ka pranuar sekretaria, e ftesat u janë dërguar deputetëve, nga Zyra e shtypit e Kuvendit. Por, PDK-ja do të jetë e pranishme në këtë seancë, vetëm nëse ftohet nga Flora Brovina, raporton KTV.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, i pyetur se a do të jenë pjesëmarrës, është përgjigjur se vetëm nëse i fton Flora Brovina. “Nuk e kemi diskutuar këtë ende në parti. Ata ia kanë drejtuar kërkesën asaj dhe ajo besoj ju përgjigjet”, i ka deklaruar Kuçi KTV-së.

Të kundërtën e kanë thënë nga Kuvendi, sepse ftesat janë dërguar në emër të deputetëve nënshkrues për seancë.

“Sekretaria ka shpërndarë ftesat dhe njoftimin te grupet parlamentare se ka seancë të enjten. Grupet parlamentare janë përgjegjëse që deputetëve të tyre t’u dërgojnë ftesat”, ka thënë Sherif Konjufca.

Blloku thotë se e kanë planin, nëse Flora Brovina s’paraqitet të enjten.

Njohësit e Kushtetutës dhe të rrethanave në vend thonë se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme në këtë rast është tërësisht e ligjshme.