PD plan për rrethimin e Kryeministrisë

Bllokimi i akseve kryesore kombëtare ditën e zbarkimit në Tiranë të negociatorit të Partive Popullore Evropiane David McAllister për të mundësuar nisjen e dialogut mes palëve, do të jetë vetëm hapi i parë i zbatimit të planit ekstrem të Partisë Demokratike, për të provokuar destabilizimin e vendit.

Lajme

22/04/2017 09:04

Shqiptarja.com ka mësuar nga burime pranë opozitës se, në varësi të produktit të negociatave që do të nisin në fillim të javës së ardhshme, Partia Demokratike do të organizojë një protestës kombëtare, e cila do t’i bashkëngjitet çadrës, me qëllim rrethimin dhe bllokimin e Kryeministrisë, në kuadër të mosbindjes civile.

Plani është diskutuar gjatë mbledhjeve të fundit të kryetarit të PD, Lulzim Basha me krerët e degëve të PD dhe drejtuesit e partive aleate. Sipas burimeve, protesta është planifikuar të mbahet në harkun kohor nga data 24 prill deri në 30 prill, gjithnjë nëse mes palëve nuk do të ketë një kompromis që reflekton kushtet e Partisë Demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të votuar ngritjen e institucioneve të Vetingut. Disa brime pranë PD thanë se nuk është fiksuar një datë, për të mos paragjykuar rezultatin e negociatave.  Në varësi të rezultateve të dialogut, protesta do të përkojë me skadimin e afatit për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 18 Qershorit, regjistrimin e kandidatëve si dhe me paraqitjen e listave të kandidatëve për deputetë. Me përfundim e afatit për paraqitjen e lirave dhe printimin e fletëve të votimit, do të marrë formë zyrtare dhe përfundimtare edhe bojkoti i zgjedhjeve nga partitë opozitare

Po ashtu, protesta synohet të zhvillohet para zgjedhjeve në Kavajë, të cilat konsiderohen një test nëse zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit mund të mbahen pa opozitën. Në këto kushte, kjo protestë, pas çadrës dhe bllokimit të rrugëve, do të jetë prova e tretë, por edhe vendimtare e Lulzim Bashës për t’i imponuar shumicës krijimin e një qeverie teknike. Ndaj drejtuesit e PD synojnë një protestë masive pa ndalim, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Opozita do të tentojë të rrethojë Kryeministrinë, ndërsa ka një paqartësi nëse protesta do të jetë paqësore apo do të degjenerojë në dhunë, si reflektim i disa kërcënimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama duket i vendosur për të shkuar në zgjedhjet e qershorit edhe pa opozitën. Ditën e enjte, kryeministri deklaroi se nëse PD nuk tërhiqet, Vetingu do të zbatohet menjëherë nga Parlamenti i ri.

Kadilli për bllokimin e rrugëve Partia Demokratike do të tentojë bllokimin e përkohshëm të akseve kombëtare në të gjithë vendin në 24 prill, ditën që do të zbarkojnë në Tiranë negociatorët e Brukselit për zgjidhjen e krizës politike. Fillimisht, trafiku në akset kombëtare do të bllokohet për një orë, por me kalimin e ditëve, rrugët do të bllokohen për një kohë më të gjatë.

“Të gjitha përshkallëzimet do të jenë me mjete paqësore dhe demokratike. Natyrisht që përshkallëzim do të thotë të shkosh nga shkalla e parë për më lart. Natyrisht që hapat e parë do të jenë paralajmërues për të treguar edhe më tepër se sa e vendosur është kjo opozitë për të arritur qëllimin dhe misionin e saj”, u shpreh Kadilli, për Report TV.

Kadilli apeloi që të mos provokohen protestuesit në Kavajë. “Me çdo mjet paqësor dhe demokratik. Nga ana jonë nuk do të ketë dhunë e provokim, por nuk do të pranojmë t’i nënshtrohemi dhunës dhe provokimeve”, tha Kadilli.

Plani i protestës për të hënën, ja rrugët që do të bllokojë PDShqiptarja.com zbulon detaje nga organizimi i protestës ditën e hënë në Tiranë dhe në rrethe , ku janë parashikuar që të bllokohen rrugët kryesore që të lidhin me kryeqytetin. “Parashikohet bllokimi i autostradave që lidh Tiranën me Veriun, Jugun dhe Jug-Lindjen. Përkatësisht do bllokohet autostrada në Veri në zonën e Fushe Krujës, në pjesën e Jugut autostrada do bllokohet në Fier, ndërsa në Juglindje do të bllokohet në rrugën që lidh Tiranen me Elbasanin tek tuneli. Po ashtu parashikohet të bllokohen akset hyrëse të Tiranes, tek sheshi Shqiponja dhe hyrja në zonën e rrugës së Elbasanit. Protesta është parashikuar të zgjasë 1 orë nga ora 11 deri në orën 12”, thanë burime për Shqiptarja.com.

PD tentoi të bllokojë Bulevardin ndalohet kamioni me blloqePak orë thirrjes së Lulzim Bashës për mosbindje civile e bllokim rrugësh, mbrëmjen e së enjtes e shënohet episodi i parë ku tentohet të bllokohet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Policia ka ndaluar një kamion të PD i ngarkuar me blloqe betoni, ndërsa ka zhvilluar një debat verbal me përfaqësues të PD. Ngjarja shënuar mbrëmjen e djeshme në Bulevard pranë çadrës së protestës, kur kamioni i ngarkuar me blloqe të larta u ndalua nga Policia e Tiranës.

Burime nga Policia bënë të ditur se, kamioni i ngarkuar me blloqe betoni po tentonte të futej pranë çadrës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

“Kamioni i ngarkuar me blloqe betoni me disa gjoba të papaguara synonte bllokimin e Bulevardit. U ndalua për disa orë, ndërsa gjatë kësaj kohe pati debat verbal mes përfaqësuesve të PD dhe Policisë Rrugore. Për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e forcave të rendit”, thanë burimet nga Policia për Report Tv.

Kjo është tentativa e parë e PD për të bllokuar rrugën, pas thirrjeve të Bashës për demostrimin e formave të para të mosbindjes civile.