PD mbështet Ligjin për Trepçën, kërkon seriozitet nga qeveria

Kryesia e e zgjedhur e Partisë së Drejtësisë përshëndetë miratimin e Ligjit për Trepçen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm dhe të guximshëm të Qeverisë së Kosovës me qëllim të vënies në interes nacional të kombinatit Trepça.

Lajme

07/10/2016 20:17

 

“Qëndrimet e tilla të cilat dëshmojnë për rolin aktiv të shtetit duhet të ndërmirren çdo ditë deri sa Kosova të jetë plotësisht funksionale dhe të ketë rritje të theksuar të zhvillimit ekonomik. Trepça, është resursi më i madh i Kosovës dhe ndikimi i saj do të jetë përmbajtësor në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

PD konsideron se aktet juridike të cilat kanë interes nacional duhet t’i nënshtrohen një procesi më të gjerë konsultativ me qëllim të arritjes së konsensusit politik dhe përmbajtjes sa më të mirë të tyre.

“Në të njëjtën kohë, PD kërkon prej qeverisë së Republikës së Kosovës, që në asnjë mënyrë mos të pranoi ti nënshtrohet dialogut me Serbinë përkitazi me Trepçen dhe pasuritë nacionale të Kosovës. Pala kosovare duhet të jetë e vendosur, që mos  ti nënshtrohet agjendës serbe për temat e bisedimeve por ti përmbahet temave që paraqesin interes për vendin tonë”

PD i bënë thirrje spektrit politik në Kosovë që të tregoj unitet dhe ti vëj interesat nacionale para atyre partike kur është fjala për tema të interesit nacional.