PD hap fushatën, Basha mbledh mbështetësit para Kryeministrisë (Video)

Partia Demokratike hapi fushatën elektorale në sheshin para Kryeministrisë, aty ku për tre muaj me radhë qëndroi çadra e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme dhe nga ku kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lajmëroi themelimin e “Republikës së re”.

Lajme

27/05/2017 20:54

 

“Republika e Re” ishte edhe slogani më i madh në hapjen e fushatës elektorale për Partinë Demokratike. Basha tha në fjalën e tij se ku është një muaj sprove për të gjithë shqiptarët.

Ky ishte një rast për prezantimin e disa prurjeve të reja të Partisë Demokratike në disa qarqe, të cilëve u është dashur të prezantohen për t’u njohur nga demokratët.

Ra në sy se përfaqësuesit e deputetëve të rinj nga qarqet e Tiranës, Durrësit, Korçës, Shkodrës dhe Fierit që kanë folur deri tani, i thurën lavde kryetarit të Partisë Demokratike dhe “Republikës së Re”.

Teksa foli për listat e deputetëve, kreu I Partisë Demokratike u shpreh se nuk ishin të papritura. “Mbrëmë dorëzova listën fituese të republikë së re në KQZ. Kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura, këtu në këtë shesh thamë se ndryshimi duhet të fillojë nga shtëpia jonë dhe kështu bëmë, dukje sjellë përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, më të denjë të komuniteteve të ndryshme, sepse mbi të gjitha republika e re është dhe do të jetë gjithmonë republika  e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë i kanë ngritur pritshmëritë e shqiptarëve. Kjo është rruga drejt fitores, në 4 javë do ta bëjmë natën ditë që republika e re të jetë realitet për çdo shqiptar. Opozita e bashkuar pala tjetër e përçarë, ndaj ne shkojmë drejt fitores së sigurt”, tha Basha.

Basha iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i thënë se shqiptarët nuk janë gur shahu. “Ku janë 300 mijë vendet e punës që premtove Edi Rama, ku është shëndetësia falas? Për Ramën që prej fillimit kjo ka qenë vërtetë një lojë shahu. Tani thotë se nuk kisha kohë për 300 mijë vende pune apo shëndetësinë falas, kjo është gënjeshtër. Ai kishte kohë të mbaronte shumë prej këtyre. Por për të nuk ishte prioritet ekonomia, ndaj rriti taksat, energjinë, çmimin e karburantit. Loja e shahut merr fund më 25 qershor. Shqiptarë merrni në dorë Shqipërinë më 25 qershor”, tha Basha.