Pavarësisht a jeni media online apo e shtypur, më e rëndësishmja është besueshmëria

Teknologjia po ndryshon, por një gjë në gazetari është akoma më e rëndësishme.

Opinion

22/06/2015 20:55

Juan Antonio Giner
Juan Antonio Giner

Abbott Joseph Liebling ishte një gazetar i shkëlqyer i “The New Yorker”, por e kishte gabim kur tha, “Liria e shtypit është e garantuar vetëm për ata që i zotërojnë mediat”. Sot nuk keni nevojë për shtypshkronja, kurse lexuesit nuk kanë nevojë për letra që të arrijnë deri tek lajmi.

Me lajme furnizoheni në çdo kohë, kudo që jeni dhe këtë gjë e arrini kryesisht përmes telefonit të juaj të mençur, të cilin e konsultojmë afro 140 herë në ditë.

Domethënë, biznesi i medieve po ndryshon me shpejtësi të madhe. Dhe mbani në mend: “nuk ka të bëjë me atë se të mëdhenjtë i hanë të vegjlit, por se të shpejtit i hanë të ngadalshmit”.

Gazetave (të shtypura) u janë dashur 200 vite të kalojnë që të bëhen platformë dominuese e informacionit; interneti është bërë lojtari kryesor në media në më pak se 20 vite, derisa telefonave mobil u janë dashur vetëm dy vite që të sundojnë botën me informacion.

Artikujt në Facebook dhe Twitter

Sigurisht se jeni duke e lexuar këtë kolumne në telefonin e juaj mobil në shtëpi, zyrë, duke udhëtuar apo edhe në shtrat. Në fakt, 75 për qind prej nesh i marrim në dhomat e gjumit telefonat mobil për të kontrolluar për ndonjë lajm, kurse kontrollimi i Twitter dhe Facebook është gjëja e fundit që e bëni para se të flini, kurse i pari sapo të zgjoheni.

E gjithë kjo është diçka e re, dhe kurrë diçka e tillë nuk ka ndodhur në jetën tonë më parë: bëhet fjalë për revolucionin e informacionit digjital.

Por edhe nëse ndryshohet shpërndarja, formati, shpejtësia, ndërveprimi, sasia e informacionit… ekziston një gjë që kurrë nuk do të ndryshojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme, dhe quhet besueshmëri.

Në biznesin e medieve, besueshmërinë e blini kur të fitoni të holla, sepse nëse fitoni të holla do të jeni i pavarur, dhe nëse jeni i pavarur do të jeni edhe i besueshëm. Nëse jeni i besueshëm do të keni edhe lexues, me lexues fitoni reklama, kurse prej reklamave fitoni të holla, pavarësi, besueshmëri, lexues dhe reklama.

Këtë leksion e kam mësuar nga Alejandro Junco de la Vega, ndoshta botuesi më i suksesshëm i gazetave në Amerikën Latine. Pronari i kompanisë mediale “Grupo Reforma” nga Meksika, më ka thënë njëherë në zyrën e tij në Monterrey, “Juan Antonio, ne nuk jemi në biznesin e medieve, por jemi në biznesin e besueshmërisë”.

Një gabim është më shumë se një gabim

Besueshmëria është një mall shumë i çmuar. Mediet janë si restorantet; nuk ka rëndësi sa yje të Michelin i keni, por nëse vetëm një natë gaboni, reputacioni juaj është në rrezik. Mund të zotëroni televizione apo radio stacione të shtrenjta, të investoni shuma të majme në platforma të medieve sociale, të dizajnoni aplikacione të mrekullueshme apo të krijoni ueb-faqe të bukura, por kurrë nuk mund të blini besueshmërinë.

Kjo është porosia ime e dërguar sot miqve të mi të Telegramit: Emri i lojës mediale është besueshmëria. Gjitha gjërat tjera janë shumë të thjeshta.

(Marrë nga Telegram.hr, përgatitur në shqip nga lajmi.net)