Patriotizmi modern i Pacollit

Behxhet Pacolli kërkon votat në Mitrovicë dhe thotë se AKR po promovon idenë e patriotizmit modern. Kandidati i AKR'së deklaron se të tjerët \"do të shokohen\" çka do të bëjë ai në Mitrovicë.

Lajme

19/10/2013 20:40

Behxhet Pacolli ka folur për patriotizmin modern, të shtunën në Mitrovicë, në vijim të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ai ka pohuar se partia e tij në këtë qytet është në rritje dhe ka kërkuar votat e qytetarëve – për t’i dhënë mundësinë të tregojë se çka është qeverisja e mirë.

Pacolli ka thënë se tani AKR është duke e promovuar idenë e patriotizmit modern, e cila, ka shpjeguar ai, bazat i ka tek puna e ndershme.

Kandidatin për Kryetar të Komunës, Agim Bahtirin, e ka quajtur njeri të mirë dhe human.

“Kam ardhur edhe njëherë të kërkoj votën tuaj, sepse asnjëherë deri tani nuk na është dhënë mundësia të dëshmojmë se si duhet qeverisur ndershëm”, ka thënë Pacolli.

Ai ka premtuar një program komunal, në të cilin, sipas tij, do të flitet me gjuhën e punës.

Tutje, ka kërkuar nga Kryetari aktual i Mitrovicës raportin zyrtar për paratë e tij të cilat i ka dërguar ndihmë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

Kandidati për Kryetar të Komunës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se është kthyer në Kosovë për t’i ndihmuar popullatës në Mitrovicë.

“Ardhja ime këtu ka të bëjë me investime të fuqishme, ndërsa çka do të bëj në Mitrovicë, do të shokohen shumë kryetarë të komunave dhe vetë Kryeministri i Kosovës”.

Ai ka përsëritur se do të krijojë më shumë se 15 mijë vende të reja pune.

“Mitrovica do të shkojë përpara vetëm ndershëm dhe me punë, ndërsa bëhuni të sigurt se unë do të krijoj vende të reja pune”.