‘Pasurohen’ për 50 centë në ditë qytetarët e Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se Bruto Produkti Vendor (BPV) me çmime aktuale në vitin 2017 ishte 6,413.8 milionë euro.

Lajme

20/09/2018 17:37

Kjo do të thotë se rritja reale në vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2016, ishte 4.23%. ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2017 ishte 3.566 euro.

ASK tregon aktivitetet të cilat kontribuuan në rritjen e BPV-së.

“Rritje reale për vitin 2017 kishte në këto aktivitete ekonomike: Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (31.4%); ndërtimtari (8.6%); tregti me shumicë dhe pakicë, riparim të automjeteve dhe motoçikletave (4.5%); informim dhe komunikim (3.4%); industri nxjerrëse (3.1%); industri përpunuese (3.0%);  aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (2.8%); transport dhe magazinim (2.8%); bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim (2.7%); afarizëm me pasuri të patundshme (2.6%); furnizim me energji elektrike dhe me gaz (2.5%); aktivitete  administrative dhe mbështetëse (2.5%); hotele dhe restorante (2.4%); art, zbavitje dhe rekreacion (1.9%); shërbime të tjera (1.2%); shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale (1.1%); furnizim me ujë (1.1%); administrim publik dhe të mbrojtjes, sigurim të detyrueshëm social (0.9%)”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, rënie kishte në edukim për 0.6 për qind.

Eksporti dhe importi i mallrave dhe shërbimeve ndikuan më shumë në rritjen reale të BPV-së sipas qasjes së shpenzimeve.

“Ndërkaq, rritja reale sipas komponentëve kryesorë të BPV-së me qasjen e shpenzimeve për vitin 2017 ishte te: Eksporti i mallrave (22.2%); eksporti i shërbimeve (15.3%); importi i shërbimeve (6.3%); importi i mallrave (5.2%); formimi i bruto kapitalit fiks (5.7%); ndryshimet në inventar (3.8%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake (1.8%); shpenzimet e konsumit final të IJPSHESH (0.6%)”, thuhet në komunikatë.

Kurse, rënie kishte në shpenzimet e konsumit final të Qeverisë për 0.5%.