Pasuria e ish-Jugosllavisë i takon edhe Kosovës

Ministri i Financave, Besim Beqaj thotë se në asnjë mënyrë Kosova nuk do të paguajë borxhet e vendeve tjera të ish-Jugosllavisë. Ndërsa, Lumir Abdixhiku nga Riinvest mendon se krahas borxheve vendi duhet të marrë përsipër edhe trashëgiminë e saj.

Lajme

28/05/2014 17:10

Përveç trashëgimit të një pjese të borxhit ndërkombëtar para viteve të 90-ta, Kosova do duhej të kishte hise edhe në pasurinë e ish-Jugosllavisë thonë përfaqësues politikë dhe njohës të çështjeve ekonomike në vend.

Megjithatë sipas tyre, Kosova nuk do të marrë përsipër edhe borxhet që burojnë gjatë periudhës së regjimit të Slobodan Milosheviqit brenda periudhës 90-99 të shekullit të kaluar.

Në bazë të aneksit 6 të Pakos së Ahtisarit, në nenin 1.1, thuhet se Kosova do të marrë përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar të Republikës së Serbisë.

Borxhi ndërkombëtar i cili do të ndahet, sipas kësaj pike, përfshinë ndër të tjera, borxhin ndaj Bankës Botërore dhe të kreditorëve të Klubit të Parisit dhe Londrës.

Ministri në largim i Financave, Besim Beqaj, thotë për lajmi.net se në asnjë rrethanë nuk do të marrin për obligim borxhet që dalin nga vendet tjera, që ishin pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë.

“Për borxhet të cilat rrjedhin nga angazhimet në borxhet e shtetit të ish-Jugosllavisë, kjo çështje mbetet të rregullohet. Së pari të definohet vija e borxhit që duhet paguhet dhe normalisht kjo duhet të bëhet përmes procesit të arbitrazhit”.

“Në asnjë rrethanë nuk do të merren borxhet që i ka pasur Jugosllavia për vendet tjera. Po flasim vetëm për borxhet të cilat i janë dedikuar qytetarëve të Kosovës”.

“Pasi të definohet kjo çështje, do të definohen edhe të drejtat sepse Kosova në ish-Jugosllavi ka pasur edhe të drejta”.

“Kur bëhet ndarja e obligimeve dhe të drejtave, atëherë mund të flasim edhe për përfitimet që Kosova mund t’i ketë në formë të aseteve të ndryshme, por edhe për obligim financiar, të cilat kanë dalë si rezultat i investimit në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku deklaron se Kosova ka të drejtë trashëgimie në pasurinë e ish-Jugosllavisë. Mirëpo sipas tij, vendi me të drejtë mund të refuzojë marrjen përsipër të borxhit pas periudhës së viteve të 90. 

“Me negociatat e Vjenës dhe me vet Pakon e  Ahtisaarit, Kosova ka marrë përsipër pjesën e borxhit të ish-Jugosllavisë të para viteve 90-ta, para të cilat janë investuar në ndërmarrjet e Kosovës apo në infrastrukturën tjetër të dedikuar për Kosovën”.

“Gjithsesi, duhet theksuar se Kosova ka të drejtë trashëgime edhe në pasurinë e ish-Jugosllavisë, meqë përderisa merr përsipër borxhet do të duhet të marrë përsipër edhe trashëgiminë”, ka thënë Abdixhiku për lajmi.net.

Sipas institucioneve të huaja financiare, shifrat e borxhit që ka trashëguar Kosova nga ish-Jugosllavia arrijnë deri në 1 miliardë e 100 milionë dollarë.