“Pastrimi” në dorë të të moshuarve

Mëngjesi e gjen në rrugë çdo ditë. Por, jo për qejf. Tërë mbeturinat që hedhin qytetarët, A.B rreth të gjashtëdhjetave kujdeset ti mbledh çdo ditë. Këtë e ka punën kryesore, prej së cilës siguron bukën për familjen e tij. Ai është punëtor i Kompanisë Regjionale “Pastrimi”.

Lajme

04/04/2018 19:41

A.B thotë për Infokusin se mungesa e shkollimit dhe pamundësia për të gjetur një vend pune më të mirë, e ka shtyrë që të punoj në këtë kompani.

Por, nuk e ka ndërmend ta lërë këtë punë. Edhe pensionimi pritet ta gjejë duke mbledhur mbeturina në rrugët e kryeqytetit.

Por, ky nuk është i vetmi që e bën këtë punë. Punë të njëjtë me të, bëjnë edhe 553 kolegët e tij. Kaq është numri i të punësuarve në Kompaninë “Pastrimi”, shkruan Infokusi.com.

“Kompania “Pastrimi”, Sh.A Prishtinë ka gjithsej 554 punëtor gjithsej, duke përfshirë gjitha komunat ku kryen shërbim pas që jemi kompani regjionale për kryerjen e shërbimit të mbeturinave”, tha për Infokusin zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnorë Ademi.

Ademi tha se në këtë kompani punësohen persona prej moshës 20 vjeçare. Mirëpo ka edhe të atillë, që edhe pensionimin e presin aty. Mosha mesatare e të punësuarve është 40 vjeç.

“Mosha e punëtorëve është nga më të ndryshmet duke filluar nga mosha e re që lejohet me ligj kontrata e punës e deri tek mosha e pensionimit”.

Ata që kanë zënë vend në këtë kompani vijnë nga rajone të ndryshme. Edhe këtu prijnë ata që vijnë nga kryeqyteti. Por, nuk mungojnë edhe ata të qyteteve të tjera. Të gjithë këta punojnë në tri ndërrime dhe konform Ligjit të Punës.

“Kryesisht vijnë nga Rajoni i Prishtinës, pasi Prishtina është qytetit që ka terenin më të madh dhe punëtorë më së shumti, po ashtu ka punëtor edhe nga qytet tjera ku kryejmë shërbim”, thotë Ademi.