Pastrimi i Fortë i Badovcit

Përfaqësues politikë, të shoqërisë civile dhe shumë qytetarë të Prishtinës kanë shfaqur interesim që të marrin pjesë në pastrimin e liqenit të Badovcit gjatë ditës së diel. Pastrim, muzikë e argëtim. Të gjitha te Liqeni i Badovcit.

Lajme

01/03/2014 12:10

Nismën për  pastrimin e shtratit të liqenit të Badovcit, që do të fillojë të dielën para dite do ta përkrahë edhe Partia e Fortë.

Kësaj iniciative do t`i bashkohet Kryetari Lexhendar Visar Arifaj i cili do të shkojë te liqeni në një mënyrë të veçantë- së bashku me 20 çiklistë.

Në një njoftim të organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën” thuhet se në këtë aksion do të marrin pjesë përfaqësues politik, përfaqësues civile dhe shumë qytetarë të Komunës së Prishtinës.

“I madh e i vogël kanë konfirmuar pjesëmarrjen në aksionin për pastrim të shtratit të liqenit të Badovcit”.

“Organizatorët bëjnë thirrje që pjesëmarrësit të mbathin çizme plastike për të qenë të gatshëm të pastrojnë rreth shtratit dhe në hapësirat e lagshta Prishtinë 28 Shkurt, Për vetëm një javë organizim, janë finalizuar të gjitha përgatitjet për pastrimin e tërësishëm të shtratit të liqenit të Badovcit”.

 

“Vetëm pak ditë pas informimit se Komuna e Prishtinës do të organizojë derdhjen e Liqenit të Gazivodës në atë të Badocit, shoqëria civile si dhe aktivistë të shumtë, janë bërë bashkë për të organizuar pastrimin final të shtratit të liqenit të Badocit”.

Me këtë iniciativë është bashkuar menjëherë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, duke mbuluar një pjesë të madhe të shpenzimeve si dhe duke siguruar pjesëmarrje aktive të zyrtarëve të saj në pastrim.

“Pjesëmarrës në pastrim do të jenë edhe 200 nxënës nga shkollat e mesme të Prishtinës, ndërsa koordinatorë të këtij aksioni janë 5 anëtarë nga organizata Ta Pastrojmë Kosovën. Partia e Fortë ka dalë në mbështetje me resurset e saj njerëzore”.

“Kryetari lexhendar Visar Arifaj do të arrijë në vendin e ngjarjes bashkë me 20 çiklistë të tjerë, ndërsa shoqata e peshkatarëve Krapi ka mobilizuar rreth 30 peshkatarë të cilët do të ndihmojnë në pastrimin e shtratit të Liqenit.

“Ndihmë me mjete për pastrim ka ofruar edhe Ndërmarrja për menagjimin e mbeturinave Hortikultura, ndërsa me mjete tjera dhe logjistikë ka ndihmuar kompani të vogla e të mëdha private. Të gjitha mjetet për pastrim janë siguruar nga organizatorët. Ndërsa pastrimin do ta shoqërojë grupi vallëzues Future Steps kurse për muzikën përkujdeset një grup gazmorë i organizuar nga Kafe Miqt.

“Për të gjithë pjesëmarrësit në pastrim do të ketë ujë dhe ushqim, ndërsa të gjithë inkurajohen të marrin shtesa ushqimore për vete dhe shokët. Në këtë aksion masiv, janë përgjigjur dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjitha mediat vizive, radiot dhe portalet informative kosovare”, thuhet në njoftimin e kësaj nisme.