Pasdite takohen Thaçi e Dacic

Në takimin e sotëm tema kryesore do të jetë ajo për Gjykatat në Veri . Në këtë takim do tëtë diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, siç janë Marrëveshja e 19 prillit, marrëveshja për telekomunikacionin, energjinë etj.

Lajme

27/01/2014 08:58

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, sot pasdite zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.

Në takimin e sotëm tema kryesore do të jetë ajo për Gjykatat në Veri . Në këtë takim do tëtë diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, siç janë Marrëveshja e 19 prillit, marrëveshja për telekomunikacionin, energjinë etj.

Po ashtu, në takim do të trajtohen edhe çështjet e mbetura të hapura deri tash, si gjyqësia, themelimi i Asociacionit të Komunave, etj.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson takimin, ditë më parë pati thënë se dialogu sot do të trajtojë çështjen e konstituimit të komunave në veri.

Inaugurimi është bërë në komunën e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Mitrovica e Veriut ndërkaq shkon sërish në zgjedhje për kryetar komune më 23 shkurt, pasi kandidati i votuar Kërstimir Pantiq, refuzoi të japë betimin për shkak të simboleve shtetërore të Kosovës që gjendeshin në dokumentacionin inaugurues, edhe pse ato, siç thuhej, “ishin të mbuluara me letra ngjitëse”.

Ndryshe, raundi i sotëm pason atë të 13 dhjetorit të vitit të kaluar, takim i cili përfundoi pa marrëveshje mbi çështjen e gjyqësorit në veriun e Kosovës.

Prishtina zyrtare kërkonte që të ketë “një sistem unik në funksionimin e institucioneve të drejtësisë në veriun e vendit”, kurse autoritetet në Beograd insistonin që “zgjidhja të jetë praktike dhe të ketë për bazë veçantinë e katër komunave në veri”, raporton RFE.