Pasardhësja e Ashton: Dialogu Kosovë – Serbi, prioritet i BE-së

Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini thotë se dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë është prioritet i presidencës italiane të Bashkimit Evropian dhe i gjithë BE-së.

Lajme

02/09/2014 18:37

Duke folur në Këshillin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian, Mogherini, e cila do të jetë përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, pas zonjës Catherine Ashton, ka theksuar se gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd ka parë gatishmëri të fuqishme të të dy palëve për vazhdimin e dialogut, raporton REL.

Sipas saj, po aq e rëndësishme është edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Federica Mogherini ka thënë se zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë dhe se ai mbetet motiv i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuadër, ajo ka vlerësuar se autoritetet në Tiranë, muajve të fundit, kanë treguar “vullnet të jashtëzakonshëm për realizimin e reformave” dhe kjo është shpërblyer me vendimin e BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat.