Pas Zekës, edhe deputeti i AAK’së mund të arrestohet për kërcënim të Blakajt

Për një deklaratë të dhënë në televizion, ka mjaftuar që Prokuroria Themelore në Prishtinë, të kërkojë prangosjen e deputetit, Milaim Zeka.

Lajme

26/09/2018 16:10

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë se edhe kërcënimi që deputeti i AAK’së, Shkumbin Demaliaj, i ka bërë ish-prokurorit special, Elez Blakaj, është serioz, por distanca e z. Blakaj ka ndikuar që deri tash prokuroria të mos marrë masa ndaj kërcënimeve të deputetit Demaliaj.

Deklaratën e deputetit Zeka, kjo prokurori e ka cilësuar si kërcënuese, kur ka thënë se me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Afrim Shefkiu, do t’i “qëroj hesapet me ligj, me kanun dhe privatisht”.

Një deklarim të tillë, deputeti Zeka e ka dhënë pasi ndaj tij ky prokuror ka ngritur aktakuzë për dyshimet me mashtrime me viza pune në Gjermani dhe për këtë rast ka propozuar 907 dëshmitarë që pritet të dëgjohen kur të nis ky proces gjyqësor.

Vetëm pas dy ditësh nga kjo shfaqje mediale e ish-gazetarit Zeka, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e tij, me ç’rast është caktuar edhe masa e ndalimit për 48 orë.

Por, kjo prokurori nuk kishte vepruar njëjtë, kur në adresë të prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj, kishin shkuar kërcënime të ndryshme, përfshirë edhe ato që i kishin bërë zyrtarë të lartë politikë e shtetërorë.

Përpos që Prokuroria nuk kishte reaguar ndaj këtyre personave, as Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nuk kishte dalë në mbrojtje të ish-prokurorit Blakaj.

Kërcënimin më të hapur ndaj ish-prokurorit Blakaj e kishte bërë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shkumbin Demaliaj, i cili njëherësh është edhe njëri ndër të akuzuarit në aktakuzën e “veteranëve”.

Demaliaj kishte thënë se Prokurorin Blakaj do ta ndjek privatisht, nëse shteti nuk merret me të.

“Nëse shteti nuk bën kërkesë që ai (Blakaj) të kthehet në atdhe për t’u gjykuar për shantazhin që i ka bërë opinionit, prokurorisë, nga unë do të ndiqet dikur privatisht, nëse shteti nuk merr masa për ta ndjekur. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç”, kishte thënë Demaliaj në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka thënë se nuk bëhet fjalë për standarde të dyfishta.

Megjithëse, e ka vlerësuar si shumë serioz kërcënimin e deputetit Demaliaj ndaj Blakajt, Berisha ka thënë se nuk është vepruar njësoj për shkak të distancës së ish-prokurorit, pasi që ai ndodhet në Amerikë.

Kurse, ka shtuar se nuk mund të thotë nëse do të veprohet njëjtë sikur me deputetin Zeka edhe me kolegun e tij, Demalijaj.

“Jemi në konsultime për të gjitha rastet, e edhe për këtë rast (kërcënimin ndaj Elez Blakaj). Mirëpo rasti ndaj Elez Blakaj ka qenë në një distancë më të largët. Kjo ka mundur të kryhet këtu, ndërsa ajo ndaj Elez Blakaj ka punë me shku deri në Amerikë. Është shumë serioz edhe kërcënimi ndaj Elez Blakaj. Jena duke biseduar për këtë rast. Nuk mund të them se a do të arrestohet apo jo deputeti Shkumbin Demaliaj. Do shohim”, ka përfunduar prokurori Berisha.

Përveç deputetit Demalijaj, edhe shefi i tij i partisë, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj ish-prokurorit Blakaj.

“Profiter, rrencë, pishpirik dhe hajn i pulave” ishin disa prej fjalëve që kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i kishte thënë në raport me ish-prokurorin Blakaj.

“Çdokush po flet çka po do. Nuk është ashtu. Veteranit të vërtetë s’ia humb vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pas shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu” kishte thënë Haradinaj në një emision në Kohavision.

“Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë. Të gjithë prokurorëve edhe gjyqtarëve e kujt t’i thuash e keni një program master në Amerikë, krejt shkojnë” kishte shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, prokurori i dorëhequr Blakaj, që kishte ngritur aktakuzë për fryrje të listave të veteranëve, është “hajn i pulave dhe pishpirik”.

“Po më brengos kjo çështje, sepse prokurori Elez Blakaj e ka bërë këtë me rekomandim të dikujt. Burrit s’i ka hije të jetë frikacak dhe t’i ikë detyrës me që e ka pranuar një punë. S’ka dashtë të ikë si burracak. Nuk mund ta kuptoj veprimin e tij dhe as arsyetimin. Ai ka ikë si një qyqar”, ka thënë deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Time Kadriaj.

Deputeti tjetër i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, kishte thënë se listat e publikuar të veteranëve mashtrues nga ana e prokurorit Elez Blakaj ngjasojnë me listat e përpiluara nga UDB-ja e regjimit të Millosheviqit.

Të gjitha këto kërcënime ndaj ish-prokurorit Blakaj kanë mbetur të pa trajtuara, ndërsa në raport me kërcënimet ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, policia ka reaguar një ditë më vonë, duke arrestuar deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Milaim Zeka.

KPK-ja me rastin e dorëheqjes së ish-prokurorit të PSRK-së, Elez Blakaj, diskutimet publike i kishte cilësuar si tendencë për devalvimin e punës së këtij këshilli dhe Prokurorsë së Shtetit, duke mos përmendur as edhe një fjali të vetme për ish-prokurorin Blakaj.

“Tendenca për të njollosur punën e Këshillit Prokurorial dhe organeve të tij, si dhe përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit nga kushdo qoftë, përfshirë edhe grupe politike janë të papranueshme dhe i cilësojmë si ndërhyrje në punën tonë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Sigurojmë opinion publik se Këshilli ka krijuar infrastrukturë dhe resurse të nevojshme për punë të mirëfilltë të prokurorëve në zbatim të mandatit të tyre në luftën e pakompromis kundër krimit të gjitha formave. Gjithashtu, Këshilli nuk do të lejojë asnjë lloj kompromisi, nga askush dhe për asnjë rast, për asnjë prokuror, pavarësisht pozitës së tij në sistemin prokurorial, në rast të shkeljeve dhe dështimit për ta kryer punën siç kërkohet me ligj”, thuhej në reagimin e KPK-së të bërë me 22 gusht të këtij viti.

Ndërsa, i një natyre krejt tjetër ishte reagimi i KPK-së me rastin e kërcënimeve ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, ku kishte reaguar edhe nëpërmjet një komunikate për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu” thuhet në komunikatën e djeshme të KPK-së .