Pas tragjedisë në Prizren, komuna ‘siguron’ shtëpitë me rrathë kanalizimi (Foto)

Komuna e Prizrenit ka tentuar ta gjejë një zgjidhje për shtëpitë në rrugën ‘Marin Barleti’ të cilat rrezikojnë të shemben.

Lajme

10/06/2016 18:54

Kjo është rruga ku ditë më parë humbi jetën një vajzë 3 vjeç, pasi një pjesë e shtëpisë ku banonte u rrënua, raporton lajmi.net.

Familja e saj jeton në kushte të rënda sociale ndërkohë që komuna jo vetëm që nuk ka bërë zgjidhje për rastin e tyre por edhe i ka cilësuar si uzurpatorë të pronës.

Por sot në përpjekje për të shmangur ndonjë lëndim të  ndonjë personi tjetër nga shembja eventuale e këtyre shtëpive në këtë zonë të mbrojtur të Prizrenit, komuna ka vendosur disa rrathë betoni përreth objektit, raporton lajmi.net.

Megjithëkëtë, kjo mënyrë e trajtimit të këtij problemi nga komunarët, po cilësohet si veprim tepër i dobët nga ana e qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Njëri prej tyre, Ismet Kryeziu që është nga ky qytet, ka publikuar në facebook dy fotografi të këtij vendi.

“Komuna e Prizrenit, për te mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe qytetaret, krijon siguri për qytetaret me gypa te kanalizimit”, shkruan Kryeziu.

“Kualiteti i gypave është  i garantuar si produkt vendor, madje me duket se garancia e këtyre gypave është  edhe me e madhe kur besohet se vijnë nga një kompani e një opozitari”, deklaron ai.

Kjo eshte zgjidhja e ofruar nga komuna per shtepite qe jane gati te shemben

Nga ana tjetër, organizata ‘Ec ma ndryshe’ ka deklaruar se moskujdesi ndaj trashëgimisë dhe lënia e monumenteve në këtë gjendje, tashmë ka prodhuar edhe tragjedi.

Kjo organizatë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të Kulturës, Kujtim Shala dhe ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, përfshirë dhe përgjegjësinë penale për shkaktim të vdekjes si rezultat i papërgjegjësisë./lajmi.net