Pas “thumbimeve” nga ish-bashkëshortja, reagon Kastro Zizo

Për Kastro Zizon të zgjuarit janë veç në botë, e duke qenë njëri nga ata, ka gjithmonë një tezë ndryshe për dashurinë, martesën dhe politikën.

ShowBiz

28/04/2018 14:20

Thotë se të ishte për të, do të jetonte në majë të malit i rrethuar nga kafshët, por për të ekzistuar i duhet të jetojë mes njerëzve në mes të metropolit. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” ai flet për dashurinë, femrat dhe planin se pas dy vjetësh mund të jetë një nga deputetët e Kuvendit.

Jeta jote mes studiove muzikore dhe studiove televizive. Çfarë mendon për botën jashtë kur je duke bërë muzikë dhe ç’përjeton në botën tënde shpirtërore kur je pjesë e një debati?

Bota ime e jashtme dhe e brendshme është mendja ime kudo ku jam. Sa për studiot, ç’të bëj që ushqehem nga ato, se me shpirt e zemër doja të jetoja në majë të malit i rrethuar me kafshë… Debati më jep adrenalinë. Gëzoj kur debatoj.

Nisur nga diskutimi i fundit në “Top Show Magazine” ku u shpreh shpërfillës ndaj ekzistencës së dashurisë. Pse mendon se dashurojnë vetëm injorantët apo të varfrit dhe ajo që ndjejnë të zgjuarit, çfarë emri ka?

Ishte shaka, më shumë. Vetë unë jam një ndër injorantët më të mëdhenj të kësaj bote, kur vjen puna te dashuria.

Dy herë i martuar dhe dy herë baba. Të tretën do e dëshiroje më pranë gruas së parë, që të bëri baba djali, apo gruas së dytë, që të bëri baba vajze?

Evitoj përgjigjen. E doja më shumë pranë meje, pranë askujt tjetër.

Një bisedë me ish-in tuaj, nënën e Nias, qarkulloi në media pak ditë më parë ku ajo refuzonte të të përgjigjej kur e pyesje për shëndetin e vajzës suaj. Lind pyetja, pse Erleta Hoti është kryeneçja që s’po zbutet kurrë me ty?

Ajo të bëjë ç’të dojë! Zoti e ruajtë!

Je një djalë me jetë intensive e shumë eksperienca. Të ndodh të ndjehesh ndonjëherë i vetmuar dhe në raste të tilla, kujt i telefonon?

Jam shok i mirë i vetes… Rrallë ndodh të ndihem vetëm.

Deri tani jeta jote është dominuar nga dhimbja apo kënaqësitë?

Nga të jetuarit, jam nga të paktët në qarkullim që kam jetuar realisht.

Një burrë që ka këndvështrim kaq ndryshe për jetën si ty, çfarë tipi femre do i përshtatej?

Që të më dojë më pak se ç’e dua unë… Sigurisht, me bythë të bukura.

I ndjek seancat në Kuvend dhe nëse do të ishe një nga deputetët, për çfarë do të ngrije zërin në fjalimet e tua?

Për shumë gjëra… mbase jam në atë stallë pas 2 vjetësh.

Kur dëgjon të flitet kaq shumë për veting, oligarkë, drogë në Shqipëri, çfarë mendon?

I fus një teke bar dhe filloj shkruaj për pula, flutura dhe lopë!

Varësitë e tua, nga të cilat do të hiqje dore?

Nga gjella me fasule…(qesh).