Pas shpikjes së ‘pakos amerikane’, Serbia thotë se e ka pakon e saj

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell gjatë një konference për media në Prishtinë, e ka mohuar se ka një ‘plan amerikan’ për Kosovën.

Lajme

12/03/2018 15:06

“E kam lexuar këtë spekulim gjatë rrugës që po vija këtu. Nuk kam ardhur të paraqes ndonjë plan të veçantë. Unë do të angazhohem që Kosova dhe Serbia ta vazhdojnë dialogun, dhe të ecin në rrugën drejt perëndimit”, ka thënë Mitchell, raporton lajmi.net

Përkundër kësaj, drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq edhe sot ka dhënë deklarata rreth këtij ‘plani’.

Gjuriq ka thënë se edhe Serbia e ka ‘pakon’ me të cilën do ta mbrojë pozicionin e saj. Sipas tij, nuk ka nevojë të rinegociohet diçka që tashmë është rënë dakord.

“Ne kemi qëndrimin dhe pakon tonë për të gjithë. Siç e keni dëgjuar edhe presidentin Aleksandar Vuçiq pala serbe do të dalë me sugjerime pas dialogut të brendshëm për Kosovën”, është shprehur ai, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka theksuar se në radhë të parë interesi i Serbisë është që të themelohet Asociacioni i komunave serbe duke shtuar se presin zbatimin e kësaj marrëveshje.

Sipas burimeve të medieve serbe, në bazë të këtij ‘plani amerikan’ Kosova do ta formonte Asociacionin, kurse Serbia nuk do ta pengonte rrugën e Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare.

Si rezultat i kësaj Serbia do të mund të bëhej anëtare e BE-së./Lajmi.net/