Pas rigjykimit, tre zyrtarë të AUV-it lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV), Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nedime Kalenderi-Krasniqi, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të enjten, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.

Lajme

26/04/2018 20:38

Aktgjykimin e ka lexuar kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e cila ka thënë se pas analizimit të shkresave të lëndës, deklaratave të dëshmitarëve dhe vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, trupi gjykues ka vendosur që të akuzuarit t’i lirojë sepse nuk është provuar se të njëjti kanë kryer veprat penale me të cilat akuzoheshin.

Ndryshe, më 17 qershor 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nedime Kalenderi-Krasniqi, të cilët i akuzonte se duke qenë persona zyrtarë pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë lejuar në mënyrë të parregullt importimin e plehut artificial nga firma “Inter Company”, në sasi prej rreth 1000 ton, raporton Betimiperdrejtesi.com.

Gjykata Themelore në Prizren, më 4 korrik 2016, kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarit janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe janë detyruar që të paguajnë shumën prej 300 euro, në emër të paushallit gjyqësor.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, trupi gjykues, kishte vlerësuar se të akuzuarit nuk kanë pasur të drejtë të lejojnë importimin e sasisë prej rreth  1000 ton, të plehut artificial në formën e pa paketuar, sipas ligjit, sepse firma nuk ka pasur të drejtë ta paketojë dhe po ashtu se malli në atë formë nuk guxon të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 mars 2017, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Sabedin Kadriu dhe Nadime Kalenderi-Krasniqi dhe e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, për shkak, që siç thuhej në aktvendim, të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, me ç’rast edhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Apeli ka kërkuar që në rigjykim, të përcaktohen qartë veprimet e secilit të akuzuar dhe përgjegjësia e secilit prej tyre kundrejt pretendimeve të organit të akuzës, të përshkruara në dispozitiv të aktakuzës.