Pas rastit të Rexhep Osmanit, reagon Parlamenti Studentor

Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin e Edukimit.

Lajme

24/05/2016 20:12

Kjo organizatë ngreh posaçërisht shqetësimin ku profesori Rexhep Osmani ka ngacmuar studenten e tij, duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të notës, duke konsideruar se ngjarjet e tilla janë të rënda për Universitetin, studentët dhe gjithë shoqërinë.

Parlament Studentor ka kërkuar nga studentët që rastet e tilla t’i raportojnë sepse ky nuk është i vetmi rast qe ka ndodhur.

“Ka raste të tjera që studentët hezitojnë t’i raportojnë ose kanë frikë nga ndëshkimi/hakmarrja e kryesve të këtyre veprave të shëmtuara të cilët mund të jenë çka do, por jo Profesor”, deklaron Parlamenti Studentor.

“Parlamenti Studentor kërkon nga menaxhmenti dhe nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, që të merr masa ndajprofesorit në fjalë i cili ka shkelur çdo normë etike dhe profesionale, duke e dëmtuar edhe imazhin e UP-se, në të kundërtën ne së bashku me studentët e UP-së reagojmë duke përdorur çdo formë të kundërshtimit për ndaljen e këtyre dukurive dhe largimin e këtyre profesorëve nga Universiteti i Prishtinës”.

Sipas tyre, ata bashkë duhet të kujdesen që Universiteti i Prishtinës të jetë institucion publik autonom i arsimit të lartë, që zhvillon arsimim akademik, kërkime shkencore dhe të jetë kultivues i vlerave etike e morale.

Parlamenti Studentor thotë se nuk duhet lejuar që disa individ të njollosin dhe të hedhin poshtë mundin e profesorëve tjerë që kultivojnë vlera etike dhe morale.