Pas raportimit për dallavere, kryetari i Vushtrrisë pezullon konkursin për gjeodezi (Dokument)

Pas raportimit të lajmi.net se ka dyshime për dallavere me konkursin për zyrtar të gjeodezisë në Komunën e Vushtrrisë, kryetari i kësaj komune, Bajram Mulaku ka marrë vendim për pezullimin e konkursit.

Lajme

25/07/2017 16:10

“Procedura e rekrutimit pezullohet për shkak të ankesave së aplikantëve deri në vendimin përfundimtar të Komisionit për zgjidhjen e kontesteve të ankesave”, thuhet në vendimin e kryetarit Mulaku.

Lajmi.net raportoi sot gjatë ditës se Edon Maliqi kishte dërguar një letër në adresën e portalit lajmi.net ku i drejtohet kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulakut, duke i treguar për një konkurs që i është bërë e padrejtë dhe është favorizuar Fitim Berisha, që ka dal i pari me pikë në testin e parë, gjithsej me 68 pikë.

Maliqi ankohej se Berishës i është përshtatur konkursi, pasi nuk është kërkuar fare përvojë pune për këtë pozitë.

Ai shkruan në letër se konkursi qysh kur është shpallur e ka përcaktuar fituesin.

“Kur e keni shpallur konkursin ju e keni përpiluar në atë mënyrë që fituesi (i punësuari) dihet qysh në fillim. Këtë e them duke u bazuar në kriteret që i keni vendosur në konkurs”, shkruan ne letrën e tij Maliqi.

Por, përveç akuzave për përshtatje të konkursin që i ka bërë Maliqi, Fitim Berisha po del të jetë djali i vëllait të Bedri Dobrës, drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Vushtrrisë. /Lajmi.net/

Lexoni edhe:

Drejtori i Komunës së Vushtrrisë akuzohet se po favorizon nipin në konkursin e punës