Pas Ramazanit, pushuesit nga Kosova ia mësyjnë plazhit të Durrësit

Një ditë pas përfundimit të muajit të agjërimit, agjencitë turistike në plazhin e Durrësit kanë bërë me dije se kompanitë e transportit Durrës-Prishtinë, punojnë me kapacitet të plotë të tyre për gjatë javës në vijim.

Lajme

07/07/2016 17:19

Mbi 50 autobusë me 2500 pushues kanë zbarkuar në dy prej stacioneve në Iliria dhe Teuta, mëngjesin e sotëm, ndërsa pushuesit janë nga qytetet e ndryshme të vendit. Janë kryesisht familjarë të cilët me fëmijët e tyre, kanë si destinacion plazhin më të madh të vendit, sepse bregu i cekët favorizon argëtimin e fëmijëve.

Pushuesit thonë se pritën të mbyllej muaji i Ramazanit që të mbërrinin në plazh.

Në krahun tjetër të gjithë banorët e plazhit kanë hapur dyert e apartamenteve të tyre për të dhënë dhoma me qira.

Banorët e plazhit e të gjithë operatorët turistikë kanë pritur pikërisht fundin e agjërimit, për të nisur sezonin turistik.

Në rrugë së bashku me pushuesit janë edhe pronarët e banesave në garë për të nisur sezonin veror. Banorët në intervista thonë se çmimet variojnë nga 10 euro deri në 15 euro nata për dhomë./balkanweb