Pas presionit shqiptarët te “Kroi i Vitakut” nuk vazhdojnë punimet

Pranojnë se kanë presion por nuk thonë se nga kush, andaj kanë ndërprerë punimet për disa ditë në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë.

Lajme

23/06/2015 13:20

Kështu banorët shqiptarë të kësaj lagje po presin se çfarë do të ndodhë në bisedimet Kosovë- Serbi që po zhvillohen në Bruksel dhe marrëveshjet që mund të arrihen.

Nazmi Ismajli, përfaqësues i banorëve të kësaj lagje, për lajmi.net thotë se nuk kanë kontaktuar me askënd nga zyrtarët që ndodhen në bisedime por thotë se këtë vendim e kanë marr vet.

I pyetur nga lajmi.net për deklaratën e ministrit Dalibor Jevtiq ku tha se brenda 3 muajve shqiptarët do të kthehen në shtëpitë e tyre, Ismajli tha se nuk kanë kohë të presin.

Ndryshe, ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Dalibor Jevtiq para Komisionit Parlamentar për Komunitete ka deklaruar se kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë do të bëhet brenda tre muajsh.

Madje, sipas Jevtiq në përbërjen e grupit punues për këtë çështje, është vet ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Lubomir Mariq, kryetarët e Mitrovicës Jug dhe Veri dhe dy përfaqësues të komuniteteve si dhe përfaqësues të UNHCR.

“Jam takuar me serbet që jetojnë në Kroin e Vitakut, kemi biseduar dhe ju kam thënë që kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale, nuk mund të komunikojmë në këtë mënyrë, nuk munden qytetarët të komunikojnë si institucione, prandaj ekzistojnë institucionet. Afati për këtë është prej tre muajsh, pra që kthimi të bëhet për tre muaj”, ka deklaruar dy javë më parë Jevtiq. (lajmi.net)