Pas “Mercedesit” edhe “Continental” investon në Serbi – Rroga deri 2500 euro. E Kosova?

Pas hyrjes së Mercedesit në tregun serb, edhe një kompani e brendit të lartë ndërkombëtar do të hap vende në Serbinë fqinje.

Lajme

07/03/2018 18:55

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar sot në Novi Sad me menaxhmentin e kompanisë gjermane Continental, e cila sot në këtë qytet hap Qendrën për kërkim dhe zhvillim.

“Kjo kompani do të thotë ecje e madhe përpara për Serbinë”, tha Vuçiq, transmeton lajmi.net.

“Është kompani e ligës së parë të investimeve dhe investitorëve”, tha ai më pas.

Sipas tij, në këtë kompani do të punësohen 500 ekspertë të rinj. “Në Qendrën kërkimore rroga do të jetë ndërmjet 850 dhe 2500 euro”, tha presidenti serb.

Ai tutje tha se është koha që ekspertët dhe të rinjtë që kanë shkuar jashtë vendit të fillojnë të kthehen, duke shtuar se rrogat gjithnjë do të jenë në rritje.

Ky është investimi i dytë i madh në Serbi vetëm për pak muaj.

Kompania gjermane ‘Leoni’ do të fillojë në korrik apo gusht ndërtimin e një fabrike për prodhimin e kabllove në Kralevë në të cilën do të punojnë 4-5 mijë punëtorë.

Këtë e bëri të ditur, Drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie për Serbinë, Klemens Saks, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, ‘Leoni’ do të investojë më shumë se 60 milionë euro në Serbi.

“Është planifikuar që ndërtimi i objektit të përfundojë në fund të vitit 2019 ose në fillim të 2020”, ka thënë Saks.

Kjo fabrikë do t’i ketë rreth 45 mijë metra katrorë dhe do të prodhojë kabllot për veturat ‘Mercedes’.

“Familjet e punonjësve tanë në vitet e kaluara kanë lindur 650 foshnje dhe ky është një kontribut i rëndësishëm për normën e lindjeve në këtë pjesë të vendit”, ka thënë Saks duke shtuar se ‘Leoni’ është i pranishëm në Serbi që nga viti 2009.

Të kujtojmë se vite më parë në Kosovë Mercedes planifikonte të ndërtonte një fabrikë ku fillimisht do të punësoheshin mbi 100 kosovarë. Megjithatë, vetëm pak javë pasi që ishte dhënë lajmi për ndërtimin e fabrikës, Mercedes kishte njoftuar se largohet nga Kosova për t’u vendosur në Maqedoni.

Aso kohe burime të shumta patën thënë se ishte haraçi që e detyroi Mercedesin të ikte nga Kosova. Kompania gjermane ka vendosur që Qeverisë së Kosovës mos t’i shesë as vetura që i prodhon vet. /Lajmi.net/