Pas kthimit nga Brukseli, liderët kërkojnë bashkimin e forcave politike në vend

Me një orë vonesë aderoi në aeroportin e Prishtinës aeroplani me të cilin po ktheheshin liderët e Kosovës, pas vizitës në Bruksel.

Lajme

18/07/2018 23:43

Nga kryeqendra evropiane Thaçi, Veseli, Haradinaj, Limaj, Dardan Gashi e Behgjet Pacolli sollën lajmin për rekomandimin pozitiv që Kosova mori nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Që të gjithë liderët shtetëror në fjalët e tyre u shprehën të lumtur me këtë arritje, duke theksuar se është lajm historik për qytetarët e Kosovës, shkruan lajmi.net.

I pari foli presidenti i vendit. Hashim Thaçi u shpreh optimist se liberalizimi i vizave do të bëhet deri në fund të vitit.

Thaçi falënderoi të gjitha institucionet për punën e tyre që Kosova ta marrë këtë rekomandim pozitiv.

“Ajo që dua të theksoj në fillim është se sot është ditë e madhe për Kosovën.  Është vendim i vonuar por kjo është rezultat i përpjekjeve që kanë bërë institucionet e vendit. Parlamenti, qeveria. Të gjithë kemi punuar për drejtimin e vendit në BE,do të punojmë që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë presidenti.

Kurse kryeparlamentari Veseli në adresimin e tij para mediave kërkoi nga subjektet politike që të vazhdojnë të jenë të bashkuar.

Nga Aeroporti i Prishtinës bëri thirrje te opozita që t’i bashkohet vendimeve të mëdha për vendin.

“Duhet të vazhdojmë të punojmë në vazhdimësi, duhet të punojmë gjithashtu me reformat në drejtësi. Jam i sigurt që Parlamenti Evropian do të votojë pro liberalizimit të vizave. Sot ka qenë një ditë e jashtëzakonshme e cila duhet të gëzojë të gjithë, mirëpo është edhe një obligim, që në dhjetor të kemi liberalizimin e vizave”, tha Veseli.

Në anën tjetër përfundimin e punëve në vendin tonë, ka kërkuar kryeministri Haradinaj. Rekomandimin pozitiv për vizat ai e cilësoi si një sukses që u korr pas shumë mundimeve.

“Sot kemi korrë suksesin e merituar të punës së mundimshme. Dhe jemi të vetëdijshëm që vetëm kështu duke qenë serioz në detrat tona të gjitha punët do ti kryjmë”, ka thënë Haradinaj.

Edhe zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj iu bashkangjit thirrjeve të kolegëve të tij për vazhdimin e unitetit politik.

Limaj theksoi se vetëm të bashkuar, arrihet jetësimi i interesave të Kosovës.

“Lajm i jashtëzakonshëm për Evropën, se shumë shpejt po u hiqet izolimi kosovarëve. Është lajm i mirë për të rinjtë e Kosovës, për të gjithë ne. Duhet t’i gëzohemi këtij lajmi dhe shfrytzoj rastin tu shprehi mirënjohje të gjithë atyre që kanë bërë të vie deri te kjo ditë. Përkushtimi ynë për intresin e vendit do të vazhdojë, do ta shfrytëzojmë këtë momentum që të jemi më të bashkuar”, ka thënë ka thënë Limaj.

Ndërsa zv/kryeministri tjetër, Behgjet Pacolli ka ftuar skeptikët, duke iu referuar kështu opozitës që t’i bashkohen “konvojit” dhe të ecin bashkë në sfidat tjera,.

Ngjashëm ka bërë edhe Gashi, duke ftuar opozitën në vend t’i bashkohen procesit për lëvizjen e lirë të kosovarëve në Europë.

Opozita në vazhdimësi ka kritikuar qeverinë për dështimin në realizimin e premtimeve sidomos për liberalizimin e vizave, dhe ka qenë kundërshtare në procesin e dialogut. /Lajmi.net/