Pas kthimit dy herë në rigjykim, dënohet me mbi 4 vjet burg i akuzuari për narkotikë – Lajmi.net
Pas kthimit dy herë në rigjykim, dënohet me mbi 4 vjet burg i akuzuari për narkotikë
Autori: Lajmi.net LajmeNacionale 16:26, 13 March 2018
Pas kthimit për herë të dytë të rastit në rigjykim, shtetasi i Shqipërisë, Shpendi Lilaj, është dënuar me 4 vjet e 10 muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve”.

Ai për këtë akuzë, gjithashtu është dënuar edhe me 3000 euro gjobë.

Kurse, i është ndërprerë masa e paraburgimit, pasi sipas avokatit Besnik Berisha, klienti i tij, vetëm e ka përmbushur këtë kohë, pasi sipas tij, katër vjet e 10 muaj ka qëndruar nën këtë masë.

Lilaj ishte akuzuar për krim të organizuar me narkotikë, por trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, kishte vendosur për rikualifikimin e veprës penale, duke e hequr krimin e organizuar, si formë të kryerjes së veprës penale dhe duke e lënë vetëm veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve”.

Gjatë shpalljes së këtij aktgjykimi, të pranishëm në sallën e gjykatës, nuk kanë qenë as prokurorja Merita Binaj-Rugova si dhe as i akuzuari Lilaj, por vetëm mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.

Ndryshe, Shpendi Lilaj, bashkë me Altin Allushi, Ahmet Isufaj, Petrit Nikqi, Tonin Greme dhe Astrit Hasanaj nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), është akuzuar për krim të organizuar me narkotikë.

Pasi që ishte veçuar procedura ndaj tij, Lilaj tash ishte ulur për herë të tretë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi në dy gjykimet tjera është dënuar me nga 7 vjet burgim, përkatësisht më 23 qershor dhe 23 tetor 2017, por të dy këto vendime i ka prishur Gjykata e Apelit, duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 14 dhjetor 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Altin Allushi, Ahmet Isufaj, Shpend Lilaj, Petrit Nikqi, Tonin Greme dhe Astrit Hasanaj, të cilët janë akuzuar se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë qershorit të vitit 2011, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë së kundërligjshme financiare.

Gjithnjë, sipas prokurorisë, Greme, Isufaj e Lilaj e kishin organizuar këtë grup kriminal duke e kontaktuar të pandehurin Petrit Nikqi, përmes Astrit Hasanaj dhe duke e angazhuar Altin Alushin, ta transportojë drogën nga Kosova në Shqipëri, me kompensim prej 1400 euro. Pasi i akuzuari Petrit Nikqi, ia kishte dhënë Ahmet Isufajt, Shpend Lilajt dhe Tonin Gremës, 10 paketime në vlerën e përgjithshme prej 4.925,17 gramë të lëndës narkotike të llojit heroinë, të njëjtit e kishin paguar Nikqin prej 55 mijë euro, prej të cilave 5 mijë euro Nikqi, ia ka dhënë të akuzuarit Astrit Hasanaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë kryer veprën penale “krim i organizuar lidhur me blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

I akuzuari Ahmet Isufaj, vazhdon të gjendet në arrati, kurse të akuzuarit e tjerë pas pranimit të fajësisë ishin dënuar me nga 4 vjet burgim në vitin 2013, gjë që tash e kanë kryer dënimin. Ndërsa, për Shpendi Lilajn, ishte veçuar procedura.

Lilaj, më 23 qershor të këtij viti, i ishte shqiptuar dënim i njëjtë, por mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Si në vendimin e 23 qershorit edhe në atë të 23 tetorit 2017 Lilaj ishte dënuar më 7 vite burgim dhe 5.000 euro gjobë. Pas ankesave të mbrojtjes, në të dy rastet Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Gjykata e Apelit me vendimin e 5 janarit 2018, e ka kthyer për herë të dytë në rigjykim këtë rast duke e ndryshuar edhe trupin gjykues të gjykatës së shkallës së parë.

Përderisa dy herë për këtë rast ka vendosur trupi gjykues me kryetar, gjykatësin Beqir Kalludra dhe dy anëtarët Shadije Gërguri dhe Shashivar Hoti, pas vendimit të Apelit të janarit 2018, është kërkuar që gjykata e shkallës së parë të caktojë një trup gjykues tjetër, ku kryetar është caktuar gjykatësi Vesel Ismajli, kurse anëtarë Valbona Musliu-Selimaj dhe Isuf Makolli.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO