Pas incidentit Lladrovci – Bazaj, Sami Lushtaku në Drenas

Për vizitën e Lushtakut në Drenas, kanë konfirmuar Zëdhënësi i PDK-së dega e kësaj komune, Betim Berisha, por ai ka mohuar se arsyeja e vizitës mund të ketë qenë kanosja e bërë nga vëllai i Naim Bazajt në drejtim të të parit të Drenasit Ramiz Lladrovcit.

Lajme

12/10/2017 22:22

Disa ditë pas incidentit që ndodhi ndaj Kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, Klan Kosova mëson se Kryetari aktual i Skenderajt Sami Lushtaku ka qenë sot për një vizitë në Drenas.

Për vizitën e Lushtakut në Drenas, kanë konfirmuar Zëdhënësi i PDK-së dega e kësaj komune, Betim Berisha, por ai ka mohuar se arsyeja e vizitës mund të ketë qenë kanosja e bërë nga vëllai i Naim Bazajt në drejtim të të parit të Drenasit Ramiz Lladrovcit.

Berisha për Klan Kosova tha se vizita e të parit të Skënderajt është bërë në kuadër të fushatës zgjedhore teksa potencoi se ditë më parë edhe Kreu i PDK-së Kadri Veseli ishte për vizitë në Drenas.

Ndërkaq Naim Bazaj po ashtu në prononcimin e tij të dhënë për Klanin, tha se refuzon çdo komunikim me të parin e Drenasit, madje ai tha se vizita e Lushtakut në këtë komunë u bë për të siguruar ndonjë votë:

”Unë nuk pranoj komunikim me ta. Sigurisht kanë ardhë për ndonjë votë, por edhe Qeverinë me e sjellë nuk mund të fitojnë më”, është shprehur Bazaj, transmeton Klan Kosova.

Ramiz Lladrovci u kanos pas përfundimit të një takimi me banorët e fshatit Tërstenik të Drenasit, mbrëmjen e së hënës.

Klan Kosova raportoi se i dyshuari për kanosje ndaj Kryetarit aktual të Drenasit, ishte Fitim Bazaj, vëllai i Kryesuesit të Kuvendit komunal të kësaj komune.