Pas heshtjes së gjatë, reagon për herë të parë Fatmir Xhafaj

Ka reaguar për herë të parë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili prej disa ditësh ka zgjedhur të heshtë dhe të mos i kundërpërgjigjet sulmeve të vazhdueshme të opozitës për të vëllain Agron Xhafaj.

Lajme

16/05/2018 13:20

Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama ka dhënë verdiktin për “fatin” politik të Ministrit të tij të Brendshëm, duke thënë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se qeveria dhe ai vetë nuk kanë ndërmend të “lëshojnë” për “gojën e ujkut” asnjë nga drejtuesit socialistë. Rama madje deklaroi se ai vetë ka kryer një “hetim” duke thënë se përgjimi audio që kompromentonte Agron Xhafajn, është një montazh i opozitës.

Por përveçse fjalëve inkurajuese dhe shfajësuese të kreut të qeverisë, Fatmir Xhafaj ka folur gjithashtu, kësaj here pa praninë e medias. Mësohet nga Express se Fatmir Xhafaj i ka shprehur të gjithë deputetëve falënderimet e tij të posaçme për suportin që socialistët i kanë dhënë Ministrit të Brendshëm.

Ju shpreh mirënjohjen time për suportin që më keni dhënë- mëësohet t’i ketë thënë Xhafaj kolegëve socialistë. Kujtojmë po ashtu se po këtë të mërkurë, vëllai i Fatmir Xhafajt ka publikuar një letër të hapur, nëpërmjet të cilës ka bërë me dijse se ka vendosur t’i dorëzohet drejtësisë italiane, e cila pas një hetimi pritet me interes që të publikojë dhe një “zgjidhje” mbi faktin se përse vëllai i Ministrit të Brendshëm, nuk ka vuajtur asnjë ditë burg nga ato 7 vite dëbim që i janë dhënë vite më parë.