Pas festës së Vidovdanit, Haradinaj: Policia tregoi profesionalizëm në ofrimin e sigurisë

 “Policia tregoi profesionalizëm në ofrimin e sigurisë”, tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai gjithashtu tha se rruga evropiane e Kosovës po ndërtohet mbi bazën e respektimit të të drejtave të gjithsecilit.

Lajme

28/06/2018 16:49

Ky koment i Haradinaj vije pasi që sot në Kosovë, serbët festuan “Vidovdanin”.

“Rruga evropiane e Kosovës po ndërtohet mbi bazën e respektimit të të drejtave të gjithsecilit, gjithnjë në përputhje me interesat e shtetit, në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Haradinaj ka thënë se sot edhe njëherë Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm dhe përkushtim në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Pelegrinëve serb, që morën pjesë në shënimin e Betejës së Kosovës në Gazimestan, i janë ofruar të gjitha mundësitë që këtë ritual ta shënojnë në mënyrën siç ata kanë dashur. Më lejoni që t’i falënderojë në veçanti Policinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarët për qetësinë dhe pjekurinë e treguar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Numër i vogël i serbëve kishin ardhur sot në Gazimestan ku për çdo vit festojnë Betejën e Kosovës të cilët e konsiderojnë si fitore të tyre.

Me flamuj të Serbisë në duar ishin mbledhur në këtë vend ku në vitin 1389 kishte ndodhur beteja në mes serbëve dhe turqve.