Pas Çelajt edhe dy zëvendësministra të PDK-së pritet ta lënë detyrën

Lirak Çelaj nuk do të jetë i vetmi zëvendësministër i dorëhequr i PDK-së.

Lajme

20/03/2017 18:39

Kjo pasi gjatë kësaj jave pritet që edhe Avni Kastrati dhe Hajredin Hyseni ta lënë detyrën, për arsyen e njëjtë që bëri Çelaj, njofton Klan Kosova.

Pra, ata do të angazhohen që të punojnë në terren, në komunat prej nga vijnë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Klan Kosova nga burime të saja merr vesh se ashtu si Çelaj la Ministrinë e Drejtësisë, edhe Kastrati do ta dorëzojë detyrën në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa edhe Hyseni do të largohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas dorëheqjes, Avni Kastrati merret vesh se do të orientohet në punojë në Mitrovicë ku ka qenë më parë kryetar, kurse Hyseni në qytetin e Podujevës, degë prej nga vjen.

Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me këta të dy, për të marrë një konfirmim nga ta, por që kontakti ka qenë i pamundur.

Ashtu si Çelaj që nuk ka konfirmuar nëse do të jetë kandidat i partisë së Kadri Veselit për kryetar të Prishtinës, nuk dihet nëse edhe Kastrati dhe Hyseni do të garojnë për kryetar komunash.