Pas Android, thirrjet me zë në WhatsApp të gatshme edhe për iOS

Një lajm i mirë për përdoruesit e iOS. Bashkë-themeluesi i WhatsApp, Brian Acton ka thënë se veçoria e thirrjes me zë në shërbimin për mesazhe do të vijë në platformën e iOS pas disa javëve.

Auto & Tek

27/03/2015 14:59

Veçoria VoIP është bërë tashmë e gatshme për platformat e Android për më shumë se dy javë. Acton ishte duke folur në Konferencën F8 të Zhvilluesve nga Facebook, ku edhe e bëri zyrtar lajmin, transmeton Lajmi.net.

Sipas Acton, WhatsApp duhet të bëhet i gatshëm për thirrje edhe në celularët dhe pajisjet e tjera iOS, pasi që përdoruesit e Android kanë qenë në gjendje ta përdorin këtë veçori tashmë dy javë dhe përdoruesit e iOS kanë qenë duke pritur që WhatsApp ta bëjë veçorinë zyrtare edhe për ta.

Natyrisht, ka mënyra jozyrtare për ta bërë këtë veçori funksionale në iOS. Përdoruesit kanë qenë duke përdorur metodën e Jailbreak për iPhone-ët e tyre në mënyrë që kjo të funksionojë.

Pritet që kjo veçori e WhatsApp të bëhet e gatshme në një përditësim të ardhshëm të iOS.