Pas akuzave të Blakajt, “zhduken” Lumezi dhe Millaku

Prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj pas disa ditësh ka folur për aktakuzën në lidhje me listat e veteranëve.

Lajme

20/08/2018 18:02

Ai ka akuzuar Kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi i cili sipas Blakajt ka bërë presion në lidhje me këtë rast.

Blakaj në një letër të shkruar në facebook ka pretenduar se Lumezi kishte kërkuar llogari nga ai për intervistimin e Kadri Veselit.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”…, thuhet në letrën e Blakajt.

Ai gjithashtu ka folur edhe për kryeprokurorin e Speciales, Reshat Millakun i cili sot tha se aktakuza e Blakajt kishte qenë pa nënshkrim.

Madje e ka akuzuar indirekt Millakun se e ka mbajtur të informuar Lumezin për këtë rast.

“Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksander Lumezi. Pas këtij takimi jemi kthyer në PSRK, jemi marr vesh me Kryeprokurorin e PSRK-se z. Millaku “se për asnjë veprim tjetër për rastin e “Veteranëve” nuk do ta informojmë z. Lumezi, e madje edhe kur do ta ngrisim aktakuzën, PO NUK MË DOLI KËSHTU”, doli qe z. Lumezi ka qënë i njoftuar për veprimet dhe aktakuzën dhe se z. Reshat Millaku për më shumë se një muaj nuk me ktheu përgjigjie, duke e mbajtur aktakuzën të cilën e kisha nënshkruar ani pse të gjitha provat dhe shkresat janë gati për të shkuar në gjykatë dhe se ajo aktakuzë, në atë përmbajtje dhe me ata të akuzuar, nuk po shkonte dhe se dyshoj edhe tani se do të shkoj në gjykatë”, thuhet në letër.

E deri më tani as Aleksandër Lumezi e as Reshat Millaku nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këto akuza.

Lajmi.net ka provuar disa herë të kontaktojë me dy të apostrofuarit në këtë letër, por asnjëri nga ta nuk e ka hapur telefonin.

Millaku sot në një konferencë për media kishte bërë të ditur se aktakuza fillimisht do të plotësohet, e pastaj do të dërgohet në gjykatë.

Por nuk ka dhënë asnjë afat kohor se kur do të ndodhë një gjë e tillë. /Lajmi.net/