Partitë të hapura për koalicione, deri tani vetëm Vetëvendosje ka vija të kuqe

Pesë subjektet më të mëdha politike në vend shprehen të hapura për koalicione pazgjedhore. Deri më tani vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka dalur me “vija të kuqe” për koalicion.

Lajme

23/03/2017 11:13

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica në një prononcim për lajmi.net ka thënë se PDK nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik.

“PDK-ja nuk ka vija të kuqe për askënd, nuk ka kufizime siç nuk ka pasur asnjëherë”, ka deklaruar Reçica. Sipas tij, PDK do t’i fitoj zgjedhjet e ardhme kurdo që mbahen ato dhe me pas do të zgjedh partnerët në bazë të programit qeverisës.

Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka thënë se kjo parti në parim mbetet e hapur për të gjitha subjektet politike shqiptare.

“Çështjen e koalicioneve nuk e kemi diskutuar ende. Por në parim ne mund të diskutojmë me të gjithë faktorin politik shqiptar, me të gjithë ata që mund të përafrojmë qëndrime programe qëndrim. Kështu që ky nuk është ndonjë problem”, ka shtuar Veliu.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) aktualisht nuk ka vija të kuqe për ndonjë subjekt politik. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj njëherit edhe zëdhënës i kësaj partie, ka thënë për lajmi.net se ende nuk është hapur debati për koalicione pas zgjedhore.

“E para, Aleanca ka koalicion parazgjedhor me Nismës. E dyta, tash për tash nuk e ka hapë debatin për koalicione të mundshme pas zgjedhjeve. Një qëndrim i mëhershëm i Aleancës ka qenë që nuk ka vija të kuqe për partitë politike shqiptare, duke filluar prej Vetëvendosjes, LDK-së dhe PDK-së”, është shprehur Nitaj.

Kurse, Nisma për Kosovën thotë se nuk është duke menduar për vija të kuqe, pasi angazhimi i këtij subjekti është që së bashku me AAK-në të dalin parti fituese të zgjedhjeve.

“Nuk kemi biseduar për vija të kuqe, pasi tërë angazhimi ynë së bashku me AAK-në është që të dalim parti fituese në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë deputeti i Nismës, Zafir Berisha.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur partneret e saj të mundshëm për të qeverisur vendin nëse kjo parti del e para në zgjedhjen nacionale. Sekretari organizativ i këtij subjekti, Dardan Molliqaj ka thënë se PDK është e përjashtuar, ndërsa me LDK-në do të hynin në koalicion vetëm nëse Isa Mustafën nuk është në krye të LDK-së.

Përndryshe zgjedhjet parlamentare parashihet të mbahen vitin e ardshëm, megjithatë në opinion vazhdimisht thuhet se vendi mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare në këtë vit. /Lajmi.net/