Partitë sot përmbyllin fushatën

Fushata zgjedhore që ka nisur nga e hëna, përfundon sonte në mesnatë.

Lajme

17/11/2017 08:16

Rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit, bën që në 19 komuna të zhvillohet edhe balotazhi.

Të dielën qytetarët e Kosovës do tu drejtohen përsëri kutive të votimit, për herën e tretë këtë vit, shkruan lajmi.net

Partitë politike që pas përfundimit të raundit të parë filluan me nënshkrimin e koalicioneve, duke synuar të marrin votat e kandidatëve që nuk e kanë arritur balotazhin.

Garat më interesante pritet të zhvillohen në qendrat më të mëdha, duke filluar nga Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Gjakova e Mitrovica.

Në Prishtinë, Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti do të garojnë për të parin e kryeqytetit, përderisa në Prizren gjithashtu Haskuka i VV-së do t’i mas forcat me Shaqir Totajn e PDK-së.

Në Ferizaj do të jetë përsëri përballja e balotazhit të para katër viteve, ndërmjet Agim Aliut dhe Muharrem Sfarqës, kurse në Gjakovë, Ardian Gjini synon ta fitojë komunën që aktualisht udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila.

Valdete Idrizi në Mitrovicë, do të synojë që gjithashtu ta marrë udhëheqjen e komunës së Mitrovicës, qytet ky që lider e ka Agim Bahtirin e AKR-së që do të garojë në balotazh.

LDK-ja dhe Vetëvendosja fushatën do ta përmbyllin në Prishtinë, kurse Partia Demokratike e Kosovës sot do të jetë në Kaçanik, Shtime e Ferizaj.

Ndryshe, nesër në Kosovë do të jetë heshtje zgjedhore. /Lajmi.net/