Partitë opozitare serbe i japin të drejtë Kostiqit për Kosovën

Deputetët nga Partia Demokratike dhe Partia e Re, besojnë se kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiq, ka të drejtë në mendim dhe qëndrim për situatën në Kosovë, shkruan Beta.

Lajme

20/10/2015 16:23

Deputeti dhe lideri i partisë së re, Zoran Zhivkoviq, ka deklaruar se Kostiq me deklaratat se Kosova është praktikisht e humbur nuk ka thënë asgjë të re, veç se e ka lexuar atë se çfarë shkruan në marrëveshjen e Brukselit, transmeton lajmi.net.

“Ai si një njeri me përvojë dhe vite të mjaftueshme ka bërë një analizë rreth asaj se çfarë janë raportet”, ka shpjeguar Zhivkoviq.

Siç ka thënë ai, cilido nga zyrtarët e shtetit që dëshiron të shkojë në Kosovë, duhet të kërkojë miratimin e autoriteteve kosovare, dhe kur të shkojë atje duhet të respektoj ligjet e Kosovës.

Zhivkoviq ka shtuar duke thënë se “asociacioni i komunave serbe do të krijohet sipas ligjeve të Kosovës, kështu që Kostiq ka thënë vetëm atë që të gjithë e kanë të qartë”. (lajmi.net)