Partitë i kanë borxh PZAP-së 66 mijë euro

Edhe pse zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare kanë përfunduar tetë muaj me parë, disa parti politike ende vazhdojnë të mos i shlyejnë borxhet që kanë ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkelje të bëra gjatë fushatës zgjedhore.

Lajme

16/03/2015 17:51

Ndonëse afati për shlyerjen e borxheve është 15 ditë nga dita kur certifikohen zgjedhjet, këto parti nuk e kanë parë të arsyeshme që të shlyejnë borxhin që i detyrohen këtij organi. Partia Demokratike e Kosovës del të jetë borxhliu me i madh ndaj institucioneve të Kosovës, transmeton Tribuna Channel.

Kjo parti, nga 57 mijë euro, sa ishte gjobitur, vazhdon t’i mbete borxh PZAP-së edhe 28 mijë e 950 euro. Borxhin PZAP-së nuk ia ka paguar as Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt, borxhi i të cilës është 4 mijë e 500 euro. Shlyerjen e borxhit nuk e ka bërë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, borxhi i akumuluar i së cilës ndaj PZAP është 1 mijë e 950 euro. Borxh PZAP-së i ka mbetur edhe Kosova Demokratik Partisi Turk.

Shkeljet e bëra nga kjo parti gjatë zgjedhjeve janë dënuar me 1 mijë e 350 euro. Mirëpo, të kujdesshme ndaj shlyerjes së borxheve janë treguar partia e Isa Mustafës dhe ajo e Visar Ymerit.

LDK-ja ishte gjobitur me 10 mijë euro nga PZAP, borxh të cilin e ka shlyer, njëjtë siç ka vepruar edhe Vetëvendosje, e cila për shkelje të bëra gjatë zgjedhjeve ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së, ka thënë për Tribuna Channel se partitë politike kanë qenë të obliguara që brenda 15 ditëve prej pranimit të vendimit t’i paguajnë borxhet.

Sipas tij, borxhi total që partitë politike i detyrohen PZAP-së për shkak të shkeljeve gjatë zgjedhjeve është 66 mijë e 350 euro. Në këtë borxh përfshihen edhe gjobat e shqiptuara ndaj disa partive minoritare dhe kandidatëve të pavarur që nga zgjedhjet e vitit 2010.

“Gjatë muajit mars 2015, pasi që të bëhet alokimi i fondeve për demokratizim të subjekteve politike, subjektet përfituese të këtij fondi do t’i paguajnë borxhet e mbetura”, ka thënë ai.