Partitë e humbën shansin për reformë zgjedhore

Arsim Bajrami ka vlerësuar se ndryshimet e ligjit aktual zgjedhor nuk kanë të bëjnë aspak me reformë substanciale zgjedhore. Ai ka thënë se partitë politike e kanë humbur shansin që reforma të jetë përmbajtjesore.

Lajme

26/03/2014 07:21

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se partitë politike nuk kanë bërë përpjekje që reforma zgjedhore, e cila ka filluar në vitin 2011 të jetë substanciale.

Në një intervistë dhenë për “Epokën e Re”, Bajrami ka deklaruar se partitë politike kanë lëshuar rastin të bëjnë një reformë përmbajtjesore zgjedhore.

“Ajo çfarë është duke u diskutuar më tepër është një reformë formale, e cila konsiston me eliminimin e disa parregullsive teknike të cilat ka pasur ligji i vjetër zgjedhor dhe përshpejtimin e disa afateve për përmbylljen e procesit zgjedhor. Mendoj se kjo është një mundësi e humbur”.

Në këtë kontekst Bajrami ka vlerësuar se në të ardhmen partitë politike përsëri do t’i kthehen reformës zgjedhore.

“Të gjitha partitë politike e kanë blerë kohën për të kalkuluar me momentin më të përshtatshëm për zgjedhje. Në të ardhmen do të duhej të mendohet për një ligj krejtësisht të ri zgjedhor, i cili aplikon standardet më të fuqishme demokratike”.

Sa i përket sistemit zgjedhor, Bajrami ka thënë se Kosova ka mbetur peng i formulës së Ahtisaarit.

“Akoma jemi peng i formulës së Ahtisaarit për sa i përket sistemit zgjedhor. Siç e dini, Paketa e Ahtisaarit ka paraparë që Kosova të jetë një njësi e vetme zgjedhore. Pra, këtu është problemi kryesor, që Kosova vazhdon të jetë një njësi e vetme zgjedhore”, ka thënë ai në “Epoka e Re”.