Partitë dobësuan shtetin, forcuan veten, korrupsionin dhe krimin e organizuar

Akademik Rexhep Qosja mendon se Kosova ka nevojë për themelimin e një partie të re politike. Ai ka thënë se forcimi i partisë e jo i shtetit, ka sjell nepotizmin, korrupsionin e krimin e organizuar.

Lajme

24/03/2015 07:41

Në një intervistën dhënë për “Epoka e Re”, Qosja ka thënë se secila prej këtyre partive kur ka ardhur në pushtet është kujdesur jo ta forcojë shtetin, por ta forcojë vetveten, pra partinë.

Sipas tij, forcimi i partisë e jo i shtetit ka sjellë të keqen e quajtur nepotizëm, të keqen e quajtur korrupsion, të keqen e quajtur krim të organizuar.

“E quaj të rëndësishme krijimin e një partie të re me program që do të ndryshonte thelbësisht prej programe të partive të tjera, madje me një pjesë të madhe të tij, edhe prej programit të Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Qosja ka folur edhe për mbledhjen e dy qeverive që është mbajtur të hënën në Tiranë.

“Kam folur për këtë çështje në disa raste, prandaj nuk do të doja t’i përsëris ato që kam thënë. Këtë herë po mjaftohem ta them vetëm një fjali: do të dëshiroja që dy qeveritë të kenë kujdes. Mosdija e madhe e krijimit të hapësirës gjithëkombëtare politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, shëndtësore të mos bëhet estradë, që do të tregohet e bukur me retorikë, por e varfër me përmbajtje”.

Duke folur për 100 ditëshin e Qeverisë të udhëhequr nga Isa Mustafa, akademik Qosja ka thënë se kjo periudhë qeverisëse do të mbahet mend për gjithçka.

“E para, 100 ditët e kësaj qeverie i kujtoj për arsye të shpërnguljes së njëkohshme të një numri të madh, dhembshëm të madh, të shqiptarëve në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian”, ka thënë Qosja.