Partia e Fortë falënderon votuesit, i ngelet hatri te Mamusha

Partia e Fortë në zgjedhjet nacionale arriti të marrë vetëm rreth 1 200 vota. Shumë pak për t’iu afruar pragut parlamentar, që kërkon tridhjetëfishin e këtyre votave. Pavarësisht kësaj kjo parti, falënderon veç e veç secilin votues. 

Lajme

16/06/2014 18:08

Partia e Fortë pas zgjedhjeve të fundit lokale mori pjesë edhe në ato nacionale, duke i dhënë sharmë dhe frymë pozitive fushatave zgjedhore, shpesh të ngarkuara me gjuhë të urrejtjes mes partive politike.

Në zgjedhjet lokale në Prishtinë kjo parti arriti të fitojë një vend në Asamblenë Komunale, ndërsa në zgjedhjet nacionale, mori fare pak vota, por megjithatë falënderon të gjithë votuesit që morën guximin të votojnë këtë subjekt. 

Lexoni të plotë letrën e Partisë së Fortë drejtuar votuesve: 

PF: Falënderojmë secilin votues veç e veç!

Falënderojmë të gjithë ata njerëz që kanë guxuar të votojnë për një subjekt i cili sinqeritetin banal dhe zhveshjen e politikës e ka mjet kryesor të komunikimit; të gjithë ata që e kanë kuptuar se jo-serioziteti nuk është karakteristikë e Partisë së Fortë, por është veçori e të gjitha partive në Kosovë. Satira është armë e fortë për ndryshim dhe u jemi mirënjohës të gjithë votuesëve tanë që u treguan afirmativ për formën tonë të fushatës. 

Falënderojmë 183 votuesit në Mitrovicë, e më veçanërisht ata 136 votues në vendvotimin 3805X/05R në veri të Mitrovicës. Falënderojmë shumë edhe 3 votuesit musketerë në Junik dhe ata 8 votues nga Deçani që kanë vendosur që ta thejnë tabunë në vendbanimin e tyre. 

Falënderojmë edhe 344 votuesit besnikë nga Prishtina dhe 80 votuesit që kanë votuar në Prizren pa marrë parasysh a i ka pëlqyer idea e “Palidhjes së Prizrenit” apo jo. Shumë jemi mirënjohës edhe për 8 guximtarët nga Drenasi. 

Falenderojmë 12 apostujt që votuan Fortë në Skënderaj, Viti, Novobërdë dhe Istog. 

Falenderojmë votuesit që në këtë atmosferë të Botërorit do të mund të formonin nga një ekip të futbollit në komunat e tyre: 11 në Malishevë dhe 11 në Dragash. 

Të gjithë nënkryetarët dhe kandidatët e PF-së janë falënderues edhe ndaj 7 votuesëve të Klinës, udhëkryqit kryesor të Kosovës dhe vendin ku denojnë Policia e Kosovës më së shumti. 

Falënderime të veçanta shkojnë edhe për 73 votuesit në Gjakovë, 32 votuesit nga bastioni i PF-së Rahoveci, 28 votuesit nga Vushtrria e vjetër, 10 votuesit nga Obiliqi dhe 21 votuesit nga komuna e Fushë Kosovës. Votuesëve nga Fushë Kosova dhe Obiliqi u premtojmë bashkim të shpejtë me Prishtinën. 

Falënderojmë gjithashtu votuesit nga komunat me shumicë nga minoritetet si për shembull 2 votuesit në Kllokot, ata të 3 në Zveçan, 6 në Shtërpcë, 5 në Leposaviq, 7 në Partesh, nga 8 në Graçanicë e Zubin Potok dhe 21 në Ranillug. 

Shumë mirënjohës jemi edhe për 66 votuesit në Pejë që mund të jenë edhe adhurues të lojës Counter Strike. Falënderojmë edhe 64 votuesit në Gjilan, te Papaku kemi kaluar shumë mirë. 

Falënderojmë shumë edhe 42 votuesit në Ferizaj me numrin më të bukur nga të gjithë. 

Falenderojmë votuesit që nuk iu trembën baksuzit të numrit 13 në Suharekë, Shtime dhe Kaçanik. 

Gjithashtu falënderojmë edhe 17 votuesit nga Lipjani. Falënderojmë shumë edhe 14 votuesit nga Kamenica, gjatë vizitës tonë në këtë qytet jemi mahnitur nga organizimi i mirë i qytetit. Falënderime të veçanta shkojnë edhe për 4 votuesit nga Hani i Elezit. Të gjithë jeni tepër të mirë, ju faleminderit! 

P.S. Mamushë? Pse bre Mamushë?