Parregullsitë me lista të veteranëve po cilësohen si “shtrembërim i historisë”

Keqpërdorimet që u bënë me listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve në Zonën e Dukagjinit ka bërë që njëri nga këta veteran të tërhiqet nga këto lista.

Lajme

19/04/2015 19:28

Januz Januzaj nuk do të jetë më pjesë e listës së veteranëve të Brigadës 133.

Kjo pasi që ai po konsideron se listat e Zonës së Dukagjinit, përkatësisht Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” u keqpërdorën dhe u futën persona të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës.

E keqpërdorime, sipas Januzajt, u bënë edhe me listat e invalidëve dhe dëshmorëve të kësaj brigade. Ish-ushtari i UÇK-së po refuzon të jetë pjesë e asaj, siç po e konsideron ‘shtrembërimit të historisë’ që po i bëhet vendit me këto lista.

I çuditur me numrin e personave që u futën në listat e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” në Zonën e Dukagjinit është edhe Verim Blakaj, i cili ka fituar statusin e invalidit.

KTV-ja ka kontaktuar me zëvendës komandantin e Brigadës 133, Naim Gjura, po ai ka thënë se përgjegjësinë për këto lista e bart vetëm komandanti i brigadës, Azem Veseli, i cili për momentin gjendet në burg.