Parim Olluri: Sulmuesi i Vehbi Kajtazit është i afërt me Milaim Zekën – lidhet me shkrimet kundër tij

Kryeredaktori i Gazetës “Insajderi”, Vehbi Kajtazi është sulmuar fizikisht pak çaste më parë në një lokal në qendër të Prishtinës. Për sulmin ndaj tij është arrestuar Faton Ramadani, familjar i vëllezërve Kiçina. Drejtori i gazetës, Parim Olluri thotë se sulmi fizik ndaj Kajtazit lidhet me shkrimet që ky medium ka pasur për deputetin Milaim Zeka. Faton Ramadani është mik i ngushtë i deputetit të Nismës për Kosovën.

Lajme

13/10/2017 15:17

Vehbi Kajtazi është përgjakur si pasojë e një sulmi brutal fizik në qendër të Prishtinës.

Kryeredaktori i Gazetës Insajderi po pinte kafe në një lokal bashkë me kolegë gazetarë, kur një person i është afruar dhe e ka goditur në trup fillimisht. Dëshmitarët thanë për Gazetën Express se sulmuesi menjëherë ka filluar ta grushtojë Kajtazin, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë.

Vehbi Kajtazi është prej gazetarëve më të mirë në Kosovë në fushën e hulumtimit. Ditëve të fundit ai ka pasur një seri shkrimesh rreth deputetit Milaim Zeka, i cili po hetohet nga organet e drejtësisë për mashtrim me viza pune në Gjermani.

Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, në një prononcim për Gazetën Express, tha se sulmi ndaj Kajtazit lidhet pikërisht me këto shkrime.

Alibia e Ollurit mbështetet në atë se Policia ka ndaluar pak çaste pas sulmit Faton Ramadanin, si një prej shoqëruesve të sulmuesit të Kajtazit – i cili ende nuk është kapur nga policia.

“Sulmi është i lidhur me shkrimet ndaj Milaim Zekës”, ka thënë Olluri, në një prononcim për Gazetën Express.

Vetë Kajtazi nuk ka dashur të flasë në këto momente, si pasojë e traumave që i janë shkaktuar.

Faton Ramadani njihet si mik i afërt i Milaim Zekës, deputetit të Nismës për Kosovën, i cili është përfolur në shkrimet e Insajderit.

Në fakt, lufta mes Milaim Zekës dhe pronarëve të Gazetës Insajderika qenë shumë intensive kohët e fundit. Madje, Zeka ka lëshuar akuza të rënda ndaj tyre edhe nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Dëshmitarët që panë rrahjen e Kajtazit i thanë Expressit të kenë dëgjuar sulmuesin duke i thënë “pse s’po kërkon falje?”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë pikërisht për shkrimet e tij.