Parashikimi i motit për pesë ditë

Pesë ditët e ardhshme në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të çrregullta të cilat vende, vende do të përcillen edhe me reshje lokale shiu.

Lajme

20/08/2018 07:24

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet do të jenë më të përqendruara në qendër, jug dhe jugperëndim të vendit, derisa pjesët tjera të vendit mbesin me reshje të izoluara shiu, kryesisht viseve me lartësi të mëdha mbidetare.

Pritet që reshje të ketë dy ditët e para të javës dhe ditën e premte, ndërsa të mërkurën dhe të enjten do të jetë kryesisht mot me diell.

Shtypja atmosferike mbetet rreth vlerave të normales, me tendencë ngritjeje.

Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 28-31 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja me shpejtësi 2-7m/s.