Paraqiten projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në Samitin Ekonomik, kapin shumën prej 600 milionë euro

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, së bashku me koordinatorin rajonal nga Zyra e Kryeministrit, Gazmend Abrashi në një konferencë për media kanë prezantuar projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në Samitin Ekonomik të organizuar nga BERZH-i, i cili do të mbahet të hënën në Londër.

Lajme

24/02/2018 15:11

Në këtë samit Kosova do të prezantojë 39 projekte, prej të cilave 14 janë projekte nga sektori privat. Këto projekte kapin shumën prej afro 600 milion euro.

Kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se për dallim prej herave tjera, Kosova në këtë samit do të prezantohet me projekte konkrete.

Edhe këtë herë kryetari Gërxhaliu, bëri thirrje që ekonomia në Kosovë të trajtohet me prioritet.

“Çka e bën të veçantë nga këndvështrimi i Kosovës është fakti që për herë të parë Kosova është përgatitur që të ketë projekte konkrete. Totali i vlerës që do të tentohet të argumentohet është afro 600 milionë euro. Ky samit po ndodh në një moment ku kosova nuk po mund të lirohet nga axhenda politike e cila po bllokon aspektin e zhvillimit ekonomik. Është koha kur duhet të kuptojmë që mbi interesin politik e partiak të është shteti“, tha ai.

“Kosova do të mbijetojë edhe në këtë kohë dhe do të funksionojë si shtet për inati të armiqve”, u shpreh Gërxhaliu.

Nga ana e tij, kordinatori nacional, Gazmend Abrashi, tha se projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në këtë samit janë të fokusuara në infrastrukturë dhe energji të ripërtëritshme.

“Të gjitha këto janë me prioritet, e kisha veçu projektin e unazës së brendshme të kryeqytetit, projekt ky që kapë shumën 63 milion euro vetëm për punimet në infrastrukturë.

“Në samitin e Londrës do të marrin pjesë 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, ku do të bëjmë prezantimin e projekteve nacionale. Zyra e Kryeministrit qysh prej momentit që kemi fillu me u parapërgatit për këtë samit, kemi bashkëpunuar me Odën Ekonomike. Kosova në samitet e kaluara përkundër asaj që ka marrë pjesë, kësaj herë e kemi marr më seriozisht dhe kemi përgatitur 39 projekte që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë”, tha Abrashi.

Me projekte të prezantuara kanë marrë pjesë 18 komuna .

Abrashi tregoi se Kosova do të lobojë edhe për dy projekte me interes nacional të cilat janë: Projekti i gazësjellësit (TAP) dhe projekti për ndërlidhjen hekurudhore me Shqipërinë./Lajmi.net/