Paraliza e Shtetit

Kosova po rrëshqet drejt një gjendjeje e cila do t’i përngjajë paralizës. Ndoshta ndonjë pjesë e ‘trupit’ shtetëror, ende do të lëvizë, por ‘organizmi’ si i tillë nuk do të funksionojë.

Opinion

06/08/2014 15:32

Edward Gibbon në librin e tij të famshëm, “Historia e rënies dhe e shkatërrimit të Perandorisë Romake”, dëfton për një rast të paprecedent në Romë, shtetin të cilin për nga fuqia dhe organizimi, e ka kaluar vetëm SHBA-ja e shekullit XX.

Garda Pretoriane dhe Senati, të cilët ishin në krye të zgjedhjes së Perandorit të ri romak në periudhën kur pati nisë teposhtëza e Romës, për tetë muaj rresht, nuk arritën të zgjedhin Prijësin e ri të këtij shteti.

Gibbon vazhdon duke thënë që edhe pse në aspektin ligjor, në Romë kishte anarki, në mungesë të një Perandori, shteti funksiononte si duhet, sepse organizimi i mirëfilltë politik dhe shtetëror, tashmë kishte lëshuar rrënjë të thella.

Nuk u vërejt pra fare mungesa e Prijësit të Romës.

Kështu ishte në Romë. Moti.

Çka ka tash këtu lidhje Roma dhe Gibboni me Kosovën, e verës së vitit 2014?

Kosova realisht është pa institucione, pa udhëheqësi të mirëfilltë, përjashto këtu Zyrën e Presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.

Në shikim të parë, nuk po shihet që Kosova si shtet është duke pësuar shumë me mungesën e Qeverisë dhe të Kuvendit, që për shkaqe të njohura, aktualisht nuk e kanë rolin që parashihet të kenë me Kushtetutën e Kosovës.

Për më shumë, edhe pse është lehtë të hetohen tensionet në skenën politike të vendit, për shkak të zvarritjes së ndërmarrjes politike të krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës (në vijim të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit), shumëkush është i befasuar për të mirë me ruajtjen e një gjendjeje të durueshme politike në vend.

Natyrisht, vështirë është të pritet që kjo gjendje do ta mbijetojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që përkon me Mbledhjen e parë, konstitutive të Kuvendit të Kosovës, të 17 korrikut.

Shumëçka do të ndryshojë pas atij vendimi në politikën kosovare.

Megjithatë, për dallim prej Romës së Gibbonit, dhe për dallim të shumicës së shteteve demokratike në Evropën e sotme, Kosova e kësaj vere, është në deficit të shumëfishtë për sa i përket qëndrueshmërisë së institucioneve, në të gjitha nivelet.

Nën sipërfaqen e cila duket relativisht e qetë, me atë formulimin e njohur të KFOR-it (prej vitit 2004 e tutje), për ‘stabilitetin e brishtë’ kosovar, gjendja në Kosovë, në fakt, karakterizohet me vazhdimësinë e procesit të grumbullimit të problemeve të të gjitha llojeve, dhe me mungesën kontinuele të mekanizmave të cilët do të duhej të merreshin me to.

Kosova sot i përngjet një Qendre Klinike, ku pacientët sa vijnë e rriten, e mjekët sa vijnë e zvogëlohen (në numër), tok me aparatet mjekësorë që përdoren për diagnostifikim dhe për shërim.

Kosova nuk është vetëm pa Qeveri dhe pa Kuvend.

Kosova së shpejti do të mbetet, realisht, edhe pa përbërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Nuk do të ketë kush ta ndanë drejtësinë, sa i përket funksionimit të shtetit, nëse diçka e tillë do të kërkohet prej kësaj Gjykate.

Kosova sot nuk ka Kryeprokuror. Nuk e ka të organizuar si duhet as Prokurorinë Speciale, e cila duhet të transformohet në drejtim të marrjes së përgjegjësive prej ndërkombëtarëve tek vendorët.

Kosova nuk ka autoritete të mirëfillta në shumicën e Bordeve të kompanive publike dhe në agjencitë e pavarura. Prej shtatorit, AKP nuk do të mund të merr asnjë vendim të vetëm për privatizim.

Nëse në shtator nuk do të bëhet Rishikimi i Buxhetit të vitit 2014, prej tetorit e tutje, do të ketë probleme serioze në dhënien e pagave dhe të pensioneve në sektorin publik.

Buxheti i ri i Kosovës, ai për vitin 2015, duhet patjetër të përgatitet jo më vonë se në ditën e fundit të tetorit, kështu që Kuvendi i ri i Kosovës ta miratojë atë deri në fund të këtij viti. Në të kundërtën, hyhet në periudhën e masave emergjente buxhetore.

Janë edhe disa Ligje shumë të rëndësishme, dhe disa veprime poashtu shumë të veçanta, që presin të miratohen prej Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, jo më vonë se në tetor, nëntor të këtij viti.

Kosova po rrëshqet, në këtë mënyrë, përditë e më shumë, drejt një gjendjeje e cila do t’i përngjajë paralizës. Ndoshta ndonjë pjesë e ‘trupit’ shtetëror ende do të lëvizë, por ‘organizmi’ si i tillë nuk do të funksionojë si duhet.

Njëra prej ‘teorive’  (i thënçin) politike shqiptare në Kosovë, me këtë emër njihet këtu, por ajo ka qenë në fuqi edhe në Shqipëri, shumë herë madje, dihet me formulimin: ‘Bone Zot llugë’. Se ndoshta pastaj gjendet fati për mua  (për ne).

Kështu është në Kosovë. Tash.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)