Paralelet e gabuara politike

Nuk është vetëm pavarësia e Kosovës e pakthyeshme. E pakthyeshme është në përgjithësi, historia dhe politika në një shoqëri.

Opinion

26/02/2014 10:15

Nuk kalon, të thuash, një ngjarje e rëndësishme, në Botë, e cila nuk mirret, pa bërë as më të voglën analizë të qëndrueshme, si një shembull që do të duhej marrë seriozisht edhe në Kosovë, në politikën dhe në shoqërinë tonë, në trajtimin e problemeve me të cilat përballemi.

Para tri vjetëve, ta zëmë, flitej, madje, edhe për ‘refleksionet’ në Kosovë të ‘Pranverës Arabe’, gjithsesi në kontekstin pozitiv për Arabët atje, dhe në atë negativ për ne, këndejpari.

Rëndom, në këto raste, ndodh një simplifikim tej mase i gabuar, gjithsesi, edhe i dëmshëm, i një procesi politik dhe historik që ndodh diku në Botë, i cili, madje, as në ‘vendin e origjinës’ nuk është i tillë  (çfarë mund të flitet tash për ‘Pranverën Arabe’, ta zëmë), ndërsa kur bartet kudo tek ne, ai merr formën e një ‘formule magjike’ që brenda natës i zgjidhë të gjitha telashet që i kemi.

Formula të tilla, fatkeqësisht, nuk ka as në jetën e një individi  (përjashto këtu lotarinë), e lëre më në mënyrën se si funksionon një shoqëri.

Zatën, e gjithë historia jonë e re, si komb, që nis me zhbërjen e Perandorisë Otomane, është dëshmi e shkëlqyeshme që historia nuk njeh skema të kësisojta, fare të thjeshta, për ndryshimin e menjëhershëm të gjendjes së një populli.

Por ja që ne vazhdojmë me të vjetrën. Tani duke i kapur përditë pamjet e ngjarjeve në Ukrainë, ashtu ende nën përshtypjen e zhvillimeve që janë larg të pasurit qartësinë e duhur edhe në vetë këtë shtet i cili ka fatin që brenda vetes të ketë linjën që ndan Perëndimin dhe Lindjen evropiane, ia mësymë që ta marrim ‘yrnekun’ e rrugëve të Kijevit si mostër për ndryshimin e situatës në Kosovë.

Sërish gjithçka thjeshtësohet për tu konteksualizuar, absolutisht paqëndrueshëm, në rrethanat kosovare.

Rrugët dhe sheshet e Kijevit, nuk kanë ama asgjë të përbashkët me rrugët, sheshet dhe politikën kosovare.

Në vitet e tetëdhjeta, në përpjekjet tona që disi të ndërlidhemi me Botën, sërish në synimin për të tërhequr paralele të paqëndrueshme (dhe të dëmshme madje) në mes të Kosovës dhe ngjarjeve në Botë, u pat bërë një refren poetik dhe jo vetëm poetik, identifikimi i Kosovës me Palestinën. Mendohej, asokohe, që kështu i ndihmojmë vetes. Në realitet, ishte e kundërta.

Por, në këtë rrëmujën tonë të zakonshme politike, shoqërore dhe mediatike e cila është përditshmëri këtupari, nuk ia mësymë vetëm paraleleve të këtilla politike me Botën, në kërkim të ‘ilaçit’ për vetveten.

Po na ndodh shpesh që edhe brenda vetes, brenda rrugëtimit tonë të ri politik dhe historik të kërkojmë modelet e këtilla që do të duhej të barten në vitin 2014.

Sa herë, ta zëmë, ka tubime të studentëve të Universitetit Publik të Prishtinës, pa marrë parasysh që motivet e shumicës dërrmuese të tyre, janë të karakterit lokal  (nëse mund të themi kështu), apo, kanë të bëjmë me gjendjen në universitet dhe në arsimin e lartë në përgjithësi, këndejpari ndër ne, pa një pa dy, përmenden demonstratat e studentëve të vitit 1981, apo edhe ato të vitit 1997.

Është kjo një tjetër huqje e plotë, në tërheqjen e paraleleve historike, e cila sërish thërret në skenë atë qasjen e thjeshtësimit të skemës politike dhe të aplikimit të një ‘formule magjike’.

Jemi pra në Kosovë, në Republikën e Kosovës më saktë, në këto anë të Evropës që kanë paguar më së shtrenjti mbarimin e ‘Luftës së Ftohtë’, dhe jemi në vitin 2014.

Nuk është vetëm pavarësia e Kosovës e pakthyeshme. E pakthyeshme është në përgjithësi, historia dhe politika në një shoqëri.

Nuk kemi çka të kthehemi brenda historisë sonë, as nuk kemi çka të këqyrim çka po ndodhë në Botë, për ta ditur se çka duhet bërë tash e tutje që Kosova të shndërrohet në një shtet të qëndrueshëm.

Krejt çka duhet bërë, nëse nuk jemi të aftë për diçka më shumë, është të lexojmë.

Të lexojmë dhe të kuptojmë Raportet e BE-së, të IMF-it  (Fondit Monetar Ndërkombëtarë), të Bankës Botërore, të lexojmë dhe të kuptojmë  (dhe më në fund t’i zbatojmë) të gjitha detyrat që i kemi dhe do t’i kemi si Kosovë, në udhëtimin tonë për Bashkimin Evropian dhe Paktin NATO.

Kështu do të vijmë ne vete. Jo ndryshe.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)